
Ditëve të fundit në Këshillin Evropian, është trajtuar çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Për televizionin Dukagjini, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, thotë se kosovarëve po u bëhet padrejtësi, por e përsëritë që Kosova e ka në dorë ta shpejtojë procesin.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të lobojë më shumë te shtetet skeptike, si Franca dhe Holanda, sa i përket procesit të liberalizmit të vizave.
“Shpresoj se do të ketë një vendim përfundimtar për heqjen e vizave në 2021, kjo varet vetëm nga Këshilli për t’i dhënë dritën e gjelbër përfundimtare Kosovës. Nuk është faji i Kosovës, sepse vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike gati dy vjet e gjysmë më parë, por kjo nuk do të thotë që Kosova nuk mund të bëjë më shumë për të përshpejtuar këtë proces. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në dialog me ato shtete anëtare, të tilla si Franca, të cilat hezitojnë për momentin. Kosova duhet ta luftojë më shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, deklaroi Viola Von Cramon për RTV Dukagjinin.
Ndërkaq deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, thotë për RTV Dukagjinin se qytetarët e Kosovës janë të diskriminuar, dhe kërkon një pozicion më të çart nga vendet e Bashkimit Evropian.
“Konsideroj se Bashkimi Evropian duhet ta qartësojë pozicionin e tij. Shtetet anëtare të BE-së me të cilat Kosova ka pasur një marrëveshje të cilën e ka përmbushur me përpikëri, duhet ta ndalin këtë metodë të izolimit”, deklaroi Blerta Deliu-Kodra, përcjell Telegrafi.
Ndërsa menaxherja e programeve nga GLPS, Njomza Arifi, tregon se Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE, por mungon ende vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Kosova nuk po arrin të dëshmojë hapat konkret në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo do të thotë se mungon një vullnet politik në këtë aspekt. Edhe shuarja e Task-forcës kundër korrupsionit është ndër pikat ku Kosova ka dërguar sinjal negativ te shtetet skeptike”, deklaroi Njomza Arifi.