Një pako prej tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës është miratuar në Qeveri për t’iu proceduar Kuvendit për miratim.
Një tentativë e tillë, por shihet si përpjekje e Qeverisë për kalim nëpër “rrugë të shkurtër” deri te formimi i Ushtrisë së Kosovës.
Por, këto përpjekje, konsiderohen si vazhdimësi e nismave të mëhershme, të cilat në fund nuk rezultuan me formimin e ushtrisë, pasi që për themelimin e një force mbrojtëse, do të nevojiten edhe ndryshimet kushtetuese.
Qeveria e Kosovës një ditë më parë ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.
Deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese që e bëjnë FSK-në ushtri, si dhe do t’i mbështesin po ashtu edhe ndryshimet ligjore që e avancojnë misionin e FSK-së.
“Përderisa FSK-ja është kategori kushtetuese, atëherë ndryshimi i emrit dhe misionit të saj kushtetues mund të ndërrohet vetëm me Kushtetutë. Sidoqoftë, ka mundësi dhe hapësira tjera që të ketë avancime me ndryshime edhe brenda ligjeve ekzistuese”.
“Kjo punë është e qartë dhe nuk ka nevojë as të interpretohet ndryshe dhe as të keqinterpretohet dhe as nuk ka nevojë që të krijohen pritje të mëdha. Ajo që është evidente në këtë rast, se që nga viti 2014 e deri më sot ka vazhduar e njëjta rutinë duke sjell këtë ligj në Kuvend dhe duke u zmbrapsur. Kësaj here ne nuk do të donim që ata të zmbrapsen”, ka thënë Selimi.
Tentativa e Qeverisë së Kosovës për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës të bëhet përmes ligjit për FSK-në, vështirë se mund të bëhet, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ibishi në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se këto projektligje në një formë të ngjashme kanë qenë edhe më herët, mirëpo nuk kanë kaluar pasi që kanë hasur në kundërshtime, sidomos nga ndërkombëtarët dhe autoritetet e NATO-s.
“Qeveria po bën një tentativë të radhës të ngutshme pa konsultat e duhura së paku të bëjë më dije se do të marrë një vendim të tillë. Mendoj se këto projektligje janë të nevojshme, por realisht ato procedurat e mëhershme sidomos kur kanë pasur të bëjnë me çështjen e modaliteteve që të shkojë pa ndryshime kushtetuese, ajo ka hasur në rezistencë pasi ndërkombëtarët kanë thënë se transformimi i FSK-së në ushtri, duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese”, ka thënë Ibishi.
Zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë tanimë kanë shprehur qëndrimin se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.
“Ne nuk na kanë konsultuar për kohën kur është marrë vendimi dhe ne duhet t’i analizojmë projektligjet për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”.
“Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për të pasur ushtrinë dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën se si ta arrijnë këtë”, është thënë në komunikatën e Ambasadës së ShBA-së.
Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dërguar në Kuvend një ligj, përmes së cilit mëtohej të shndërrohej FSK-ja në Ushtri. Por, ky ligj ishte tërhequr, me argumentimin se do të tentohet që ky transformim të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Por, ndryshimet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave, që sipas Ibishit aktualisht nuk janë.
“Këto projektligje mund të kalojnë nëse nuk preket Kushtetuta, do të thotë pa ndryshim të emrit të FSK-së, por nëse mendohet të ndryshohet emri ajo do të shkon me ndryshime të Kushtetutës dhe përfshin një pako të tërë ligjore, ku janë rreth 43 ligje që përfshin plotësim ndryshim për shkak të emrit. Pra, krejt varet a do të ndryshohet emri”.
“Nëse nuk ndryshohet emri, atëherë mund të shkohet vetëm me këtë pako të tri ligjeve bazë te FSK- së, por do të këtë rezistencë nga ndërkombëtarët se ata kanë theksuar se duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese duke përfshirë dy të tretat në Kuvend përfshirë edhe pakicat e që kjo sjell probleme”, ka thënë Ibishi.
Lista Serbe, parti e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, në vazhdimësi ka kundërshtuar shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese.
Nënkryetari i Listës Serbe dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe” nuk do ta mbështesë formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Formacioni i vetëm ushtarak legal në Kosovë, sipas Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është KFOR-i, i cili në këto hapësira ka ardhur me pajtimin e Republikës së Serbisë, ka thënë Simiq.
Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë.
FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës.
FSK-ja numëron më shumë se 2000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 i përkasin komuniteteve pakicë, kurse 100 janë nga komuniteti serb.