Njësia matëse e dashurisë
Edhe shkenctarët më në zë nëpër botë ende nuk kanë arritë të shpikin një njësi matëse për dashurinë. Por kujt do të ja merrte mendja se kjo do të ndodh në një shtet kaq të vogël e të ri siç është Kosova. Dhe jo nga një shkenctarë, se të tillë ne kemi pak, por nga ata që kemi me shumicë e që janë politikanët.
Gjithandej nëpër deklaratat e tyre diskutohet për dashuri ndaj vendit, ndaj tokës së të parëve, se dashuria jonë është më e madhe se e të tjerëve (oponentëve politik). E se me çfarë po matet kjo dashuri ne populli jemi në pritje të formulës, asaj formule magjike që do ta zgjidhte jo vetëm problemin politik por edhe problemin e shumë qifteve të cilët duan ta dinë me çdo kusht se në çfarë stadi qëndron dashuria e partnerit të tyre, çfarë zgjidhje epike kjo për të gjithë njerëzimin!? Por se dashuria është koncept i gjërë siç duket nuk u ka shkuar në mend politikanëve tanë, se po tu shkonte në mend nuk do ta bënin kurrë këtë zbulim kaq interesant. Kjo për arsyen e vetme se çdo ditë po faktohet dashuria e paktë kundrejtë bashkëshorteve apo edhe të dashurave të tyre.
Sa mrë do t`i kishim punët sikur vetëm pak nga kjo dashuri e deklaruar e tyre do të ishte e sinqertë. Sa mirë do të ishte sikur vetëm pak t`i mohonit interesat e juaja dhe të punonit për interesa të vendit. Kjo po që do të ishte shpikje, besa më e madhe se njësia matëse e dashurisë.
Dashurinë ndaj vendit do ta dëshmonit sikur të punonit që edhe qytetarët e këtij vendi që ju e “doni shumë”, të mund t`i përjetojnë gjërat që i përjeton çdo qytetar i çdo vendi tjetër. Të mendoni pak për të sëmurët, për ata që u vije vdekja duke vrapuar për rregullim dokumentash. Për të varfërit të cilët lëvizja e lirë do të ju siguronte ekzistencën. Për të rinjët e këtij vendi të cilët kanë nevojë ta shohin botën, mënyrën e jetesës dhe kulturën e vendeve të zhvilluara, apo keni frikë se nuk do të mund t`i manipuloni pastaj. Në gjithë këtë garë të ashpër për sasinë e dashurisë ndaj Kosovës, viktimë vazhdon të mbetet kush tjetër përveq popullit.
Mos e zhvlerësoni kaq shumë dashurinë, këtë ndjenjë që do të duhej të ishte shumë e pastër dhe e sinqertë. As ju që e shijuat pushtetin dhe punuat vetëm për interest e juaja por as ju të tjerët që ende nuk e patët rastin për të vepruar njëjtë si pushtetarët.