Esheref Haxhiu, njëri nga 14 konsujt e shkarkuar nga ministri i ri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj vendimit të këtij të fundit, duke ia sqaruar gjerë e gjatë, se vendimi ishte i jashtëligjshëm, e se pas vendimit kishte bërë edhe disa shkelje të tjera ligjore.
Haxhiu ka kontestuar vendimin e ministrit Konjufca, duke ia bërë të ditur atij se zgjedhja konsul në Katar ishte bërë konform të gjitha procedurave të konkursit dhe intervistimit.
Përveç kësaj, Haxhiu ia ka renditur konjufcës edhe disa shkelje të tjera ligjore, si publikimi i të dhënave personale, por edhe dëmin moral dhe financiar që i ka shkaktuar pasi ai kishte braktisur vendet e punës në Kosovë, për të marrë vendin e punës së diplomatit, shkruan Reporteri.net.
Lexoni të plotë reagimin e konsullit të Kosovës në Doha të Katarit, tash i shkarkuar nga ministri Konjufca:
Sqarim publik!
Nuk është parimore, as etike, as profesionale, mbase as edhe ligjore, që diplomatët të kumtojnë në kanale publike kontestet e caktuara ligjore e politike. Mirëpo, përkundër kësaj, i pari i diplomacisë sonë, z. Glauk Konjufca, dje, të enjten, krijoi një precedent të tillë, duke publikuar të dhënat e 14-të konsujve të shkarkuar nga ana e tij, përfshirë këtu edhe identitetin dhe vendodhjen time. Ai këtë e bëri fillimisht në llogarinë e tij personale në Facebook, që më pas u përhap edhe në media. Nuk e di nëse Ministri është i vetëdijshëm se me këtë veprim ai ka bërë shkelje të Ligjit Nr. 06/L-082 të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe shkelje të Rregullores BE 2016/679 të Parlamentit Evropian për mbrojtjen e të dhënave të përgjithshme.
Përvec kësaj, komunikimi në publik i vendimit nga ana e tij është edhe në kundërshtim me Ligjin Nr. 02/L-65 kundër shpifjes dhe fyerjes. Kjo për shkak se, Ministri, për shkak të pozitës që ka, është dashur të dij që arsyeshmëria e vendimit të tij është i bazuar në një të pavërtetë.
Prandaj, unë dua që të sqaroj, argumentoj, dhe të dokumentoj një gjë të tillë.
1. Vendimin e tij për shfuqizimin e vendimit për emrimin tim si Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Doha, Ministri e ka bazuar në nenin 20 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbim të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Për këtë shih doc. nr. 01. Neni 20 i këtij ligji shprehimisht thotë: “Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur, në pajtim me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe legjislacionin në fuqi”. Për këtë shih doc. nr. 02.
2. Pra, vendimi i Ministrit, z. Konjufca, pretendon se unë jam pranuar në shërbim të jashtëm pa konkurs dhe në kundërshtim me këtë ligj. Kjo nuk është e vërtetë. Ministria e Punëve të Jashtme e ka hapur konkursin e saj publik për pranimin e 15-të diplomateve të rinjë me datë 12.03.2019. Për këtë shih doc. nr. 03. Unë i jam nënshtruar atij konkursi ku, pas fazës së parë të seleksionimit të bazuar në dokumentacion, ka pasur edhe tri faza të tjera të testimit dhe vlerëzimit. Këto vlerësime janë organizuar dhe realizuar nga organet kompetente të shtetit të Kosovës. Për shembull, faza e dytë e testimit me shkrim është organizuar dhe monitoruar nga autoritetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në qendrën e tyre kryesore në Prishtinë, në Maj të vitit 2019.
3. Pas kalimit me sukses të secilës fazë, zyra e personelit të MPJ-së, më ka ftuar për të ju nënshtruar fazës së fundit të vlerëzimit – intervistës finale. Kjo intervistë është realizuar me 05.06.2019 në ora 14:45 në objektet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për këtë shih doc. nr. 04. Paneli intervistues ka qenë i përbërë nga pesë zyrtarë të Ministrisë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen.
4. Pas përfundimit të këtij procesi, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së më ka dërguar vendimin e Ministrit të Jashtëm, në atë kohë, z. Behgjet Pacolli, për emrimin tim si Konsull i Republikës së Kosovës në Shtetin e Katarit. Për këtë shih doc. nr. 05. Vlen të theksohet se Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, emërimin tim, ndër tjerash e ka bërë duke ju referuar konkursit të lartpërmendur. Për këtë shih doc. nr. 06.
5. Përvec meje, ky vendim i është dërguar edhe Ambasadës së RKS-së në Doha, ku më pas edhe autoritetet e Katarit e kanë dhënë pelqimin e tyre për akreditimin tim si diplomat në Doha. Në ndërkohë, Departamenti i Konsullorës në MPJ më ka lëshuar pasaportën diplomatike, si dhe më pas, në kordinim të plotë me të gjitha instancat përgjegjëse në MPJ kam bërë aranzhimet e tjera për të funksionalizuar angazhimin tim si diplomat. Pra, gjatë gjithë procesit unë kam qenë në komunikim dhe koordinim të plotë me të gjitha autoritetet dhe zyret relevante në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nuk është se një zyrë e vetme apo një individ i vetëm brenda Ministrisë e ka realizuar këtë punë. Pra në këtë proces kanë qenë të përfshirë të gjitha instancat relevante brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Andaj, nëse eventualisht ndonjëra nga këto instanca ka bërë ndonjë shkelje gjatë procedurave, atëherë duhet të ndërmerren masa ndaj tyre, jo ndaj meje.
7. E fundit por jo më pak e rëndësishme, dua të bëj të ditur se për shkak të angazhimit tim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në verë të vitit të kaluar unë kam dhënë dorëheqje nga dy vende të punës që mbaja në atë kohë, njërën si psikolog në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tjetrën si trajner në IOM. Për këtë shih doc. nr. 07. Po ashtu, me arsyetimin se jam emruar diplomat i Republikës së Kosovës në Doha, po në atë kohë, kam refuzuar edhe ofertën tjetër nga GIZ-i gjerman për një angazhim të leverdishëm profesional. Për këtë shih doc 08.
Pra, unë asnjëherë nuk kam menduar dhe nuk kam besuar që emrimi im është i kundërligjshëm. Përndryshe, do të ishte e pakuptimt braktisja e tri mundësive të sigurta, për një mundësi të vetme të pasigurt. Andaj, unë pres nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të sqaroj këtë gabim, si dhe të ndërmarr hapat e nëvojshme për riparimin e dëmit moral, profesional, material, publik, ligjor dhe human, që më është shkaktuar.
Me respekt,
Esheref Haxhiu