970×90
970×90
970×90
970×90

Një tregim nga Afrika dhe nga fshati zviceran Chéserex

Një tregim nga Afrika dhe nga fshati zviceran Chéserex


Ferrari, Lamborghini, Bentley dhe një Maserati: drejtësia zvicerane ia shet veturat në ankand një politikani plaçkitës nga Afrika.

Guinea Ekuatoriale (28’051 km², 1’222’442 banorë) është një vend i varfër afrikan, tre prej katër banorëve jetojnë nën pragun e varfërisë. Më pak se gjysma e fëmijëve shkojnë në shkollë. Guinea Ekuatoriale është ndër shtetet e para afrikane me vdekshmërinë e foshnjeve. Por dy politikanë të Guineas Ekuatoriale jetojnë në luks marramendës. 77-vjeçari Teodoro Obiang Nguema Mbasogo është kryetar, sivjet ai ka festuar 40 vjetorin e ardhjes në pushtet. I biri i tij Teodorin Obiang i ka mbushur 50 vjet. Ai konsiderohet pasardhës i babait të tij. Por njëherë Teodorin Obiang ka probleme të tjera.

Drejtësia zvicerane ia ka konfiskuar 25 vetura luksoze, të gjitha të blera me paratë e popullit të varfër të Guineas Ekuatoriale. Të dielën në Chéserex drejtësia zvicerane i nxori në ankand veturat luksoze të Teodorin Obiang. Shtëpia e ankandeve Bonhams nga Zürichu, e ngarkuar me shitjen, njoftoi se janë siguruar 21,6 milionë euro nga shitja e veturave. Një Lamborghini Veneno Roadster u shit për 7,6 milionë euro. Supozohet se në mbarë botën janë vetëm nëntë vetura të tilla. Në fshatin zviceran u shitën edhe disa Ferrari, Bentley dhe një Maserati me të cilët lavdërohej Teodorin Obiang.

Drejtësia zvicerane i konfiskoi veturat në vitin 2016 në kuadër të hetimeve për korrupsion kundër Teodorin Obiangut. Paratë e mbledhura nga shitja do t’u jepen organizatave humanitare, të cilat angazhohen në Guinean Ekuatoriale, vendi i tretë në Afrikë me prodhimin e naftës, por të ardhurat nga kjo pasuri përfundojnë në xhepat e presidentit, të birit të tij dhe klanit të tyre. Teodorin Obiang është nënkryetar Guineas Ekuatoriale. Më 2017 ai është dënuar me kusht në Francë për shkak të korrupsionit dhe mashtrimit.

Në vitin 2018 Teodorin Obiang aterroi në Sâo Paulo të Brazilit. Në valixhet e tij doganierët zbuluan orë në vlerë prej 15 milionë dollarë dhe 1,5 milionë dollarë para të gatshme.

Related posts