970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë

Një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë

Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të dielës së 24 shtatorit, rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë nga terroristët serbë ku si pasojë e gjuajtjeve mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë, shkruan gazetaprojekti.com

Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Nga ky sulm terrorist u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë,  dje disa të tjerë të përfshirë në sulm u arrestuan, disa nga të cilët më pas u liruan.

Reagimet nga faktori ndërkombëtar ishin të menjëhershme duke dënuar këtë sulm.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ishte ndër të parët që reagoi duke  dënuar fuqishëm aktin.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë.

Krerët e shtetit kanë thënë se sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit kërcënoi integritetin territorial të Kosovës, sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Edhe kryeministri Kurti, edhe presidentja Osmani kanë kërkuar vazhdimisht që Serbia të sanksionohet dhe ndëshkohet nga ndërkombëtarët.

Ata kanë paralajmëruar se nëse një gjë e tillë, nuk ndodh, Serbia mund ta përsërisë krimin.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit, dhe sipas Kurtit, në krye të sulmit ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Kurti shkroi se ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërkaq, emisarët perëndimorë i kërkuan Beogradit gjatë takimeve të së shtunës që të bashkëpunojë plotësisht në hetimin rreth rastit të Banjskës.

Por, në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë.

Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Zëdhënësi, Peter Stano, pret bashkëpunim të plotë nga Serbia, ndërsa tek pas përfundimit të hetimeve, do të vendosin nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron para sulmit terrorist.

“Ne duhet ta shohim pikturën e plotë të hetimeve. Nuk do të komentojmë qëndrimet personale, pasi Bashkimi Evropian do të përgjigjet unanimisht nga vendimi i të gjitha vendeve që përbëjnë unionin. Dialogu ka qenë aty për vjet, dhe prioriteti i BE-së është rikthimi në këtë proces. Po të kishte normalizim të marrëdhënieve nuk do të ndodhin këto që ndodhen”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.

Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë.

Ajo thekson që “marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun Serbi-Kosovë. Kjo marrveshje duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar 2024.”

Related posts