Shoferi i autobusit në të cilin dhjetë veta vdiqën dhe mbi 40 u lënduan afër qytetit Slavonski Brod mëngjesin e djeshëm në Kroaci do t’i dorëzohet mbikëqyrësit të burgut, konfirmoi Damir Breziq, zyrtar policor për marrëdhënie me publikun në Administratën e Policisë Brod
Breziq tha se shoferi, i cili do të ndiqet penalisht me ligje të Kroacisë, do të merret sot në pyetje.
“Pasi ta dorëzojmë te mbikëqyrësi kujdestar në mëngjes, ai do të sillet në Avokaturën e Shtetit për marrjen në pyetje. Zyra e Avokatit të Shtetit do të vendosë për rrjedhën e mëtejshme të procedurave, dmth nëse do të kërkojë kujdestari për shoferin ose lirimin e tij”, tha Breziq për SBplus.
Siç raportoi policia dje, shoferi do të procedohet penalisht për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkaktimi i aksidentit të trafikut në trafikun rrugor”, për të cilin dënimi maksimal është deri në 15 vjet burgim, raporton Index.hr.
Çfarë është vërtetuar deri më tani nga inspektimi?
Policia kroate tha dje se në orën 6:19 të mëngjesit të së dielës pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.
Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte dje në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.
Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur.
Shoferi i cili po voziste në momentin e rastit tragjik, e pranoi dje në Prokurori se për një moment e kishte zënë gjumi, dhe më pas autobusi kishte lëvizur fatalisht jashtë autostradës.