
Nga toka e Junikut me dashuri në tregun e Evropës, kjo moto si duket i shkon më së shumti kompanisë “Luna SHPK” e cila merret me kultivimin dhe shitjen e frutave dhe perimeve, shkruan Gazeta Projekti.
E themeluar në vitin 2015, e ngritur në një plantacion me një sipërfaqe prej 30 hektarësh, pronarët kanë vendosur një standart të ri të këtij profili në Kosovë duke u përkujdesur në çdo detaj, që nga krijimi i hapësirave e deri të vendosja dhe kultivimi i frutave me një cilësi të lartë e cila tashmë është konkurruese edhe në tregjet ndërkombëtare.
Kjo kompani të gjitha frutat i ka të certifikuara me standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. Mollët, boronicat, qershitë dhe vishnjet e mbajnë vulen e çertifikimit Global G.A.P. Certificate.

Kompania posedon 17 hektarë me mollë, 4.5 hektarë me boronicë, 6.4 hektarë me qershi dhe 2 hektarë me vishnje. Ajo çfarë e bënë madhështore këtë kompani është eksportimi i frutave në tregun evropian, ku tashmë në marketet kryesore i gjeni frutat e kompanisë Luna. Një ëndërr e bërë realitet një koncept i ri i të bërit biznes i cili vetëm nga vizionar të rrallë mund të imagjinohej vite më parë, sot është e mundur falë entuziazmit angazhimit dhe punës së përkushtuar të vazhdueshme vite më radhë nga themeluesit e saj //GazetaProjekti//
