
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e përjavshme ka folur edhe për takimin nesër në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, shkruan Gazeta Projekti.
Stano ka thënë se agjenda është mjaft e qartë, dhe është rruga përpara për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, si dhe për çështjet që ndikojnë në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në të vërtetë, mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivelin e kryenegociatorit do të jetë nesër në Bruksel. Rendi i ditës është mjaft i qartë. Është rruga përpara në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht diskutimi për çështjet që po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
I pyetur nëse do të ketë një takim trepalësh, zëdhënësi i BE-së nuk u përgjigj.
Për përpjeket për një takim të kryenegociatorëve në Bruksel, emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak kishte ardhur në Prishtinë për të takuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin.
Pas atij takimi, Lajçak kishte deklaruar se Serbia kishte tërhequr letrën e Ana Bërnabiqit dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati refuzuar ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Ndër të tjera kusht ishte edhe tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023.
Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.
Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.