Tash kur të tre liderët institucional, presidenti Hashim Thaçi, kryparlamentari Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë deklaruar se nuk janë në dijeni për arrestimin dhe ekstradimin e gjashtë shtetasve turq të grupit të Fetullah Gylenit, Haradinaj ka kërkuar përgjigje urgjente nga Policia, AKI dhe MBP për këtë arrestim dhe ekstradim.
Përmes një komunikate për media, Haradinaj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga këto tri institucione të përgjigjen urgjent, pse është bërë ndalimi i shtetasve turq, e pse janë depërtuar me urgjencë dhe në fshehtësi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas operacionit të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq, në përputhje me përgjegjësit e tij kushtetuese dhe ligjore ka kërkuar raportim nga Drejtori i AKI –së, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Drejtësisë, me kërkesën siç vijon:
“Kërkoj nga ju, që në përputhje me përgjegjësitë tuaja Kushtetuese dhe Ligjore, raportim të plotë dhe të saktë lidhur me rastin e ndalimit dhe deportimit të gjashtë qytetarëve turq nga Kosova. Pse u revokuan leje qëndrimet e tyre? Pse u bë ndalimi i tyre? Pse janë deportuar me urgjencë dhe në fshehtësi?”, thuhet në komunikatën e qeverisë.