970×90
970×90

Në Samitin e Berlinit do të kornizohet marrëveshja finale Kosovë-Serbi

Në Samitin e Berlinit do të kornizohet marrëveshja finale Kosovë-Serbi


Samiti i Berlinit pritet që ta kornizoj në masë të madhe se si do të duket marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë. Por, e mira në këtë samit do të jetë që shkëmbimit të territoreve do t’i jepet fund dhe si ide nuk do të jetësohet, ani pse ka ende tendenca. Kështu thotë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Ilir Deda. Ai në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus flet edhe për qeverisjen në Kosovë dhe domosdoshmërinë që sa më shpejt të iniciohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë në Kuvendin e Kosovës. Deda flet edhe për debatin mes PSD-së e Vetëvendosjes, konkretisht për ish kolegët e tij, Dardan Molliqaj e Glauk Konjufca, ku ky i fundit po akuzohet se ka qenë në SHIK.

Deputeti i Alternativës në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda, e ka quajtur lajm të mirë dhe një fitore rrëzimin e idesë për shkëmbimin apo korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Deda në intervistën për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, thotë se do të jetë shumë me rëndësi që në samitin jo formal të Berlinit, do t’iu thuhet palëve se kjo ide nuk mund të realizohet.

Madje, Deda beson se në këtë samit do të kornizohet në masë të madhe se si do të duket marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është fazë shumë e rëndësishme ku është dashur të ketë komunikim të partive politike, sidomos para samitit jo formal të Berlinit. Por kjo nuk do të ndodhë për shkak të kulturës mbizotëruese politike në Kosovë. Ajo çka është me rëndësi që projekti për ndarjen e Kosovës, apo korrigjimit të kufirit apo shkëmbimit të territoreve dhe nuk është më opsion dhe kjo do të komunikohet në Samitin e Berlinit të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ajo çka njëjtë pritet të ndodhë në Berlin është një lloj kornize se si do të duket marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Por, Kosova është duke mos dhënë vizion të vetin se si duhet të duket ajo marrëveshje. Dhe, sa herë nuk kemi qenë proaktiv kemi humbur”, ka potencuar Deda.

Në Kuvend të sqarohet paprekshmëria e kufijve – Tri modelet për zgjidhje

Është shumë e rëndësishme sipas deputetit Deda që në Kuvendin e Kosovës të sqarohet përgjithmonë paprekshmrëia e kufijve, duke qenë se presidenti Hashim Thaçi ende është pro korrigjimit të kufirit.

“Kosova nuk mund t’i unifikojë qëndrimet derisa e kemi një akter institucional, në këtë rast Thaçi që është ende për korrigjim të kufirit. Do të thotë duhet të sqarohet një herë e përgjithmonë në Kuvendin e Kosovës paprekshmëria e kufijve dhe fuqizimi i atyre të cilët duhet të merren me këtë proces”, theksoi Deda.

Deputeti Deda thotë se Kosova duhet të mondoj se cilin model të normalizimin nga kontinenti evropian e do.

Ai ka dhënë tri modele që duhet të zgjedh Kosova për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

“A e duam modelin Itali-Austri, a e duam modelin Francë-Gjermani, a e duam modelin Finland-Suedi, cilin do ta përzgjedhim. Dhe nga përzgjedhja jonë do të shihet pak a shumë edhe korniza e një marrëveshje finale mes dy vendeve. Secila këto i ka benefitet dhe të metat, por kjo duhet të jetë pjesë e një debati më serioz dhe të brendshëm politik në Kosovë që do ta sqaronte pozicionin e Kosovës dhe pastaj të vendoset racionalisht cili nga këto modele i konvenon Kosovës më së shumti”, deklaroi deputeti Deda.

Sipas tij, Kosova duhet të përmbyll sa më shpejt kapitullin e normalizimit me Serbinë, në mënyrë që të merret aktivisht me mënyrën e qeverisjes brenda.

Deputeti Deda thekson se nuk beson që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet me këtë terminologji.

“Pjesa kyqe e kësaj marrëveshje, përpos njohjes mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë edhe prosperiteti i popullatës serbe në Kosovë dhe i popullatës shqiptare në Serbi, pra reciprociteti i të drejtave, atëherë për çka kemi thënë tërë kohën se këtu  duhet të bazohet si model, diçka që është shkarazi e përmendur në platformën e miratuar në Kuvend, të cilën unë s’e kam përkrahur për disa çështje tjera”, shtoi ai.

Me tutje, Deda shton se bashkësia ndërkombëtare është fort e interesuar që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të kryhet këtë vit. Porse, nuk e di nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

“Atë që e di është se shtetet evropiane dhe ShBA-ja duan që patjetër të përfunfoj në vitin 2019 kjo marrëveshje. Unë mendoj se është edhe në interesin e Kosovës që të përfundoj sa më shpejt që të kemi marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Por, a do të ndodh kjo a jo, nuk e di askush”, shtoi ai.

Megjithatë, ai thekson se kyqja direkte e dy fuqive evropiane në këtë proces e Gjermanisë dhe Francës, do ta ndërrojë klimen për këtë proces që të gjendet një kalendar brenda Kosovës që të veprohet për të përfunduar këtë.

Ikjet nga Kosova, Qeverisja dhe rrëzimi i Haradinajt

Në këtë intervistë deputeti Deda ka folur edhe për qeverisjen në vend dhe shkuarjen në zgjedhje. Ai mendon se duhet sa më shpejt që të iniciohet në Kuvend mocioni i mosbesimit ndaj ekzekuvitit, duke bërë publik qëndrimin e tij se do ta votonte rrëzimin e Qeverisë.

“Unë mendoj që duhet patjetër që të bëhet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë. Nuk jam aspak i kornizuar nga këto mendimet a ka apo jo deputetë, por është koha që Kuvendi dhe partitë politike ta thonë fjalën e tyre për këtë kualitet të qeverisjes. Derisa po them se duhet të bëhet mocioni, atëherë përgjigjen e keni aty. Edhe pse nënshkrimin LDK-ja e ka prej verës 2018. Dhe duhet të ketë mocion”, ka theksuar Deda.

Duke folur për ikjen e të rinjve nga vendi, Deda thotë se kjo është një reflektim i humbjes së shpresës për të qëndruar në Kosovë.

“Me shumë biseda që kam pasur me njerëz që shkojnë nga Kosova, kjo është një pjesë e humbjes së shpresës dhe humbjes së besimit se në Kosovë mund të bëhet mirë. Njerëzit tash kanë mundësi të dalin dhe të punojnë legalisht në vendet e BE-së dhe ata e kërkojnë shpëtimin nga ky mjerim i përgjithshëm në Kosovë duke e lëshuar vendin në mënyrë permanente. Sepse kjo nuk është vala e njëjtë e largimit, por kjo është ikje permanente e njerëzve që nuk besojnë në shtetin e Kosovës”, u shpreh Deda.

Deda thotë se veprimet e Qeverisë për të rritur pagat vetës dhe shumë veprime tjera janë vetëm një pjesë e shkakut pse të rinjtë po ikin jashtë vendit.

“Është një pjesë e mozaikut të asaj se si e shohin njerëzit jetën në Kosovë, mungon kualiteti i jetës në Kosovë. Nuk ikin vetëm njerëzit e varfër nga Kosova, shkojnë edhe njerëzit jashtëzakonisht të kualifikuar të cilët duan një standard të jetës së përditshme. Ky është bilanci i 20 vjetëshit të qeverisjes në Kosovë. Nuk mund të thuash kjo qeveri e tanishme, natyrisht që ka degraduar edhe më shumë si qeverisje e tillë, por është bilanc i përgjithshëm sepse nuk janë krijuar vende pune, rritje ekonomike të shëndoshë dhe kjo është çka kemi mbjellë tash po e korrim dhe ky është largimi legal i mijëra njerëzve që nuk duan më të presin që një ditë të bëhet mirë”, shtoi deputeti Deda.

Debati mes PSD-së dhe Vetëvendosjes për SHIK-un

I pyetur se si e ka parë debatin mes deputetëve Dardan Molliqaj e Glauk Konjufca, ku i pari po e akuzon të dytin se ka qenë pjesë e SHIK-ut, Deda tha se nuk e ka përcjellë këtë debat aq shumë, porse ai ka qenë itharë që të mos ketë debat mes PSD-së e VV-së.

“Nuk kam qenë në Kosovë dhe nuk e kam ndjekur këtë debat. Përndryshe unë kam qenë ithtarë nga fillimi që të mos ketë debat mes VV-së dhe PSD-së, është i panevojshëm që prej momentit të ndarjes. Unë ju kam treguar me shembullin tim që kur të ndahen rrugët politike nuk ka nevojë që të shahen njerëzit mes vete, por e përfundojnë një rrugëtim politik nga një obrellë politike dhe vazhdojnë me vizione politike. Na ka humbur shumë kohë lufta e VV-së me PSD-në, e cila duhet të përfunfoj”, ka thënë Deda.

Ndërsa, rreth përplasjes me kryetaren e Alternativës, Deda tha se kanë pasur një mbledhje të gjatë të kryesisë dhe kryetarët e degëve dhe janë marrë vesh për hapat e metutjeshëm, porse nuk ka dashur t’i bëjë publike se cilët janë ato.

Ai po ashtu nuk e ka pohuar ose mohuar nëse do ta lë Alternativën dhe do të  bashkohet me PSD-në e Shpend Ahmetit, pasi është raportuar për një afrim të tij me ish bashkëpartiakun e dikurshëm.

Related posts