
Këtë të premte janë nënshkruar edhe deputetët nga PDK dhe LDK-ja që kanë fituar mandatin nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Të dyjat thanë që nuk kanë vota për kryetarin e Kuvendit të propozuar nga LVV-ja, ndërkaq as nuk kanë dakordim mes vete nëse Vetëvendosje dështon të formojë qeverinë.
Hap pas hapi, po përfundon çdo procedurë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Memli Krasniqi, së bashku me 23 bashkë-partiakët, tha që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk ka qenë kurrë problem dhe nuk beson të jetë as të martën e ardhshme.
“Nuk është nevoja me votu gjithsesi na, sepse Kuvendi nuk ka pas asnjëherë telashe me konstituim sa i përket kryetarit të Kuvendit, krejt çka na presim është me 15-tin me u propozu kryetari i Kuvendit, ne tjerët i propozojmë nënkryetarët dhe e konstituojmë Kuvendin”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, Krasniqi tha se nuk ka pranuar ftesë nga Albin Kurti për tu konsultuar rreth formimit tëinstitucioneve të reja.
Në versionin nëse lideri i Vetëvendosjes dështon ta formojë qeverinë, atëherë bashkëpunimi me partitë tjera opozitare është i mundur, sipas Krasniqit, nëse kryeministër zgjidhet Bedri Hamza.
“Ne nuk i kemi 80 vota, ne i kemi 24 vota, këto vota do të jenë pjesë e një marrëveshjeje potenciale për qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga PDK-ja. Sa i përket zgjedhjes së presidentit, shohim kur i vjen radha”, ka thënë Krasniqi.
Ngjashëm sikurse Krasniqi, me bashkëpartiakë erdhi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Me ta përsëri nuk ishte Avdullah Hoti, por kësaj radhe nuk dihet arsyeja.
Pas nënshkrimit, Abdixhiku foli rreth situatës me kryeparlamentarin.
“Një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për vete, nuk duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare. Pra, minimalisht duhet t’i ketë 61 vota e pastaj shihemi për gjëra tjera”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërkaq, shtoi se nuk kanë mbërritur në pikën ku kanë përafrim me partitë tjera opozitare për formimin e qeverisë.
“E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të bëjë, të provojë të bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bën pas 15 ditëve, Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë – jep të drejtën secilës parti që dëshmon para presidencës që ka mund ta bëjë shumicën, të bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi mbërritur në atë pikë”, ka thënë Abdixhiku.
E deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje që dje mbetën pa u regjistruan, sot thanë se janë duke siguruar numrat e nevojshëm.
“Jemi duke punu në atë drejtim dhe me të 15 e shohim”, ka thënë Fitore Pacolli, deputete e zgjedhur e LVV-së.
“Me këdo që bohet, për mua është njësoj”, ka thënë Avni Dehari nga Vetëvendosja.
Të martën e 15 prillit, deputetët e zgjedhur do të betohen si dhe pritet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit, bashkë me kryesinë e re./Dukagjini/