Pas dhënies së rekomandimit pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian (KE), më 29 gusht të këtij viti procesi për vizat e Kosovës do të kalojë në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian. Mirëpo pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës do të mundin të dalin përfundimisht nga “grilat” tek në gjysmën e dytë të vitit 2019.
Përderisa ende Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë datë se kur Kosova përfundimisht do të marrë liberalizimin, zyrtarë të Bashkimit Evropian shprehen të bindur se Kosova i ka plotësuar kriteret e caktuara nga BE-ja dhe se tani vizat janë çështje procedurale.
Edhe përfaqësues të institucioneve në vend vlerësojnë që këtë vit Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, pasi tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.
Mirëpo njohësit e çështjeve të integrimeve thonë se deri në verën e vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës nuk do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE-së, sepse procedura për vizat e Kosovës mund të zgjatet nëse eventualisht Kosovës i vihet edhe ndonjë kriter joformal për vizat nga ana e BE-së./zeri/