
Sot Flori Mumajesi ka ditëlindjen, mirëpo kjo ditë nuk është më njësoj për të pa njeriun e tij të zemrës – nënën e tij, e cila u nda nga jeta më 23 shkurt të vitit të kaluar. Me një foto në prehrin e nënës së tij kur ka qenë i vogël, Flori ka ndarë dedikimin prekës, ku rrëfen mungesën e madhe të së ëmës në ditën e tij të lindjes.
“Nëpërmjet muzikës kam ndarë ndër vite copëza shpirti, prej kohësh nuk e bëj më, mbase prandaj e ndjeva kaq të nevojshme ta ndaja edhe aq shpirt sa më ka mbetur në këtë foto dhe pikërisht sot!
Sot u zgjova i djersitur dhe sa bëra të çohem nga krevati me erdhi era Loke, era mushe, era mam, era që më ka rritur, era jetë, era që vdisja ta nuhasja duke zhytur kokën në qafë, era më e mirë në botë.
Më mungon është pak ta them, çdo ditë të kam para syve si luftove duke më shtrënguar dorën deri në frymën e fundit. Asnjë urim s’ma mbush dot shpirtin kur s’e kam një telefonatë nga ty, një mesazh! Më ike ditën që më linde mushe, nuk e di a është më ditëlindja ime në datën 23”, -ka shkruar Flori.