Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndryshojë orarin e kufizimit të lëvizjes nëpër disa komuna të Kosovës.
Vendimi i mëhershëm i qeverisë kufizonte lëvizjen e qytetarëve nga ora 21:00 deri në ora 05:00, shkruan lajmi.net.
Tani, me vendimin e ri, me qëllim të luftimit dhe parandalimit të virusit COVID-19, qeveria e Kosovës ka ndryshuar orarin e kufizimit të lëvizjes duke e shtyrë për 1 orë e gjysmë.
Vendimi nr.2 i qeverisë së Kosovës thotë se:
2. Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, përveç:
2.1. Në raste urgjente shëndetësore;
2.2.Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten;
2.3. Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;
2.4. Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;
2.5. Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (por, nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).