Shpesh herë mund të na ndodhë të ndihemi të lodhur përgjatë ditës për arsye nga më të ndryshmet, që nga mungesa e regjimit normal të gjumit një natë më parë, kryerja e një pune që kërkon përkushtim të lartë fizik dhe mendor, ushqyerja jo e shëndetshme etj. Të gjitha këto mund të na ndalojë të kryejmë në mënyrë të efektshme veprimtaritë përgjatë ditës sonë. Por duke ditur se ushtrimet fizike janë një mënyrë efikase për ta mbajtur larg dhimbjen, shumë nga ju mund të duan të dinë edhe disa ushqime të efektshme në parandalimin apo reduktimin e lodhjes. Disa nga ato janë:
Portokallet. Fruti i portokallit përmban një sasi të lartë vitamine C, e cila ndikon në reduktimin e lodhjes nga stresi fizik dhe emocional. Në një frut portokalli ndodhet gjithë sasia e nevojshme ditore për vitaminë C. Duhet pasur kujdes që frutat apo perimet me vitaminë C t’i marrim në mënyrë të papërpunuar, sepse kështu nuk reduktohet as sasia e vitaminës.
Ujë. Dehidratimi mund të çojë në lodhje dhe mërzitje, ndaj sigurohuni të merrni sasinë e duhur të ujit çdo ditë, e cila varion nga 2.5 deri në 4 litra në ditë, në varësi të moshës, peshës, apo gjinisë, të marra këto sasi përmes gjellërave, frutave, apo ujit natyral.
Gjithë produktet ushqimore që përmbajnë magnez. Një nga më të rëndësishmit, është edhe spinaqi. Magnezi funksionon si kofaktor në shumë procese enzimatike brendaqelizore dhe ajo që është më e rëndësishme, ai kundërshton lodhjen fizike. Aq e vërtetë është kjo, saqë një nga shkaktarët e lodhjes sonë, është edhe marrja e paktë e magnezit me dietën ushqimore.
Fasulet dhe produktet me sasi të lartë të hekurit. Ulja e përqendrimit të hekurit në gjak është një nga shkaktarët e lodhjes fizike, ndaj shtimi i marrjeve të tij me fasule, thjerrëza, spinaq, apo produkte të tjera ushqimore, mund ta reduktojë ndjesinë e lodhjes. Sigurohuni të merrni edhe ushqime që përmbajnë vitaminë C, në mënyrë që përthithja e hekurit të jetë më e lartë.
Karbohidratet. Marrja e lëndëve të pasura në sheqerna bën që ne të sigurojmë sasi të nevojshme energjie për trurin dhe muskujt tanë. Kjo ka rëndësi tepër të madhe për të shmangur hipogliceminë, e cila mund të përbëjë një shkaktar të lodhjes që mund të ndiejmë. Mos u trembni nga marrja e ushqimeve me shije të ëmbël për shkak të shtimit në peshë, pasi marrja e sasive të nevojshme nuk ka për t’ju dhënë hiperkalori në organizëm. / bota.al