Vladimir Putin e përjashtoi edhe njëherë, kategorikisht, mundësinë që Kremlini të ketë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, por jo faktin që në ngërçin e krijuar të kenë pasur gisht qytetarë të thjeshtë rusë.
“Nuk më bëhet vonë aspak, nëse ndonjë rus e ka bërë një gjë të tillë”, tha ai në intervistën e dhënë gazetares Megyn Kelly, të NBC-së.
“Përse e keni vendosur që autoritetet ruse, duke më përfshirë këtu dhe mua vet, i kanë dhënë ndonjërit lejen për ta bërë këtë? Janë 146 milionë rusë. E çfarë do të thotë kjo? Mua nuk më intereson aspak, ata nuk përfaqësojnë interesat e shtetit të Rusisë”, tha Putin.
Pasi shfaqi këtë lloj indiference, shefi i Kremlinit shtoi se personat e përfshirë në presidencialet që nxorën fitues Donald Trumpin mund të mos kenë qenë fare rusë, por ukrainas, tartarë ose hebrenj me nënshtetësi ruse, e kjo gjithashtu – sipas tij, – duhet verifikuar.
Muajin që shkoi, prokurori i posaçëm Robert Mueller ngriti padi ndaj 13 shtetasve rusë dhe 3 entiteteve ruse për përfshirje në votime, duke i akuzuar me konspiracionin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara.
“Ne nuk kemi as dëshirën dhe as mjetet për t’u përfshirë në procesin zgjedhor të Amerikës”, këmbënguli të tregonte Putini, por komuniteti amerikan i inteligjencës e mendon ndryshe, siç dëshmon qartë raporti i tij i janarit të vitit 2017, ku theksohej se qeveria ruse ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale për të ndihmuar triumfin e Trumpit.