![NATO sjell forca shtesë në Kosovë](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/05/33B76EE1-8877-4719-925E-83D645CC6622.jpeg)
Organizata më e fuqishme ushtarake në botë Nato si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.
NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter.
Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.
Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë, ashtu që KFOR-i të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.
Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.
“Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Munsch.
Të martën, KFOR bëri të ditur se tre prej ushtarëve morën lëndime nga armët e zjarrit, teksa 27 ushtarët e tjerë kanë lëndime të ndryshme, por që të gjithë nuk kanë plagë vdekjeprurëse.
KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Serbët kanë protestuar edhe të martën në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Për shkak të rritjes së tensioneve, KFOR në fillim të javës njoftoi se ka shtuar prezencën në veri të Kosovës. Ky mision paqeruajtës ka rreth 4.000 trupa në Kosovë.