
Edon Zhegrova ka vendosur t’i bëjë dhuratë për ditëlindje nënës së vet një gol të bukur, të cilin e shënoi në fitoren e Baselit kundër Luzrenit të shtunën në Superligën e Zvicrës.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës Zhegrova e shënoi golin e tretë të Baselit, vetëm disa minuta pasi u fut në fushë nga stoli në dhjetë minutat e fundit të triumfit të Baselit në St. Jakob-Park, raporton Gazeta Express.
21-vjeçari shënoi nga afërsia duke e çuar topin në cepin e poshtëm të këndit të djathtë të portierit, pas një aksioni që e kishte nisur vet në bashkëpunim me Fabian Frei.
Ky ishte vetëm goli i dytë i Zhegrovës në 22 paraqitje në ligën elitare zvicerane këtë sezon.
Më vonë në rrjetin social Instagram, ai zbuloi një mesazh që ia kishte dërguar të ëmës, Sanije Zhegrova, ku i tregonte se gol i kushtohej asaj si dhuratë për ditëlindje.

“Nanush për ty goli dhe zemra”, i kishte shkruar Zhegrova nënës së vet.
Pas një periudhe të suksesshme si titullar në skuadrën zvicerane, Zhegrova e ka humbur besimin e trajnerit Ciriaco Sforza.
Në gjashtë ndeshjet e fundit, anësori kosovar luajti si zëvendësues dhe goli i së shtunës mund t’i rrisë atij sërish shanset për ta kthyer vendin e titullarit dhe vjen në një kohë të duhur edhe për Kosovën para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022 këtë fundmuaj. /Gazeta Express/