Naim Murseli po dyshohet se ka porositur me para vrasjen e gruas së tij, Liridona Murseli, që u krye të mërkurën mbrëma në një fshat periferik të Prishtinës.
Policia e Kosovës të premten fillimisht ka arritur ta identifikojë një të dyshuar tjetër për vrasjen e 30 vjeçares me shtetësi suedeze. Ai u arrestua në Cermajn të Gjakovës, në fshatin prej nga vjen edhe Naim Murseli dhe ku u varros sot viktima.
Pas arrestimit, i dyshuari i parë i arrestuar ka rrëfyer në Polici se për ekzekutimin e Liridona Murselit u porosit ta kryente nga burri i saj Naim Murseli, në këmbim të një pagese me para, ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net.
Gruaja 30 vjeçare u vra të mërkurën në një fshat në periferi të Prishtinës, derisa sipas dëshmisë së parë të burrit të saj – tashmë i arrestuar si i dyshuar – gjoja ekzekutuesit ishin dy grabitës që e ndalen veturën me të cilën po lëviznin çifti dhe dy fëmijët e tyre.
Rasti tashmë po hetohet si vrasje me armë zjarri dhe inskenim i grabitjes.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e përditësuar nga Policia e Kosovës.
Derisa menjëherë pas tragjedisë Policia e kishte njoftuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Liridona Murseli u varros sot në fshatin Cermjan të Gjakovës. Në varrimin e saj mori pjesë edhe i dyshuari Naim Murseli, i cili si bashkëshort i viktimës pranoi ngushëllimet e pjesëmarrësve në ceremoninë mortore.