
Kosova nën regjinë e Bernard Challandes ka mbajtur stërvitjen zyrtare në stadiumin “Todor Proeski Arena”.
Ekipi i Kosovës bëri një stërvitje të lehtë për të ndjerë edhe terrenin në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Kosova në ndeshje ndaj Maqedonisë do të jetë e mangët si asnjëherë më parë në ndeshjet e fundit.
Përzgjedhësi Bernard Callandes nuk do t’i ketë me vete tetë futbollistë të rëndësishëm në ndeshjen e madhe ndaj Maqedonisë së Veriut, lojtarë që kanë qenë të ftuar në ndeshjet e fundit.

Pamje nga stërvitja e fundit e Kosovës (Foto: Ekipa.mk)
Për këtë ndeshje mungojnë emra si Milot Rashica, Idriz Voca, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Samir Ujkani shkaku i lëndimeve.
Mungesat e tyre ishin bërë të ditura para disa ditësh.

Rashica e Kryeziu, mungesa të mëdha të Kosovës
Vedat Muriqi edhe pse tentoi të jetë gati, nuk ia arriti, pasi kishte vetëm pak ditë që ishte bashkuar me Lazion pas infektimit me COVID-19.
Amir Rrahmani ka një rast më specifik pasi që në skuadrën e tij kanë rezultuar dy lojtarë me COVID-19 dhe skuadra e tij është në karantinë.
I fundit që mungon është Bernard Berisha i cili nuk është ftuar nga Bernard Challandes për këtë ndeshje, pas problemeve të shkaktuara në ndeshjen e fundit ndaj Greqisë.
Megjithatë, Kosova ka të ftuar shumë futbollistë të zotë, të cilët mund t’ia dalin nesër mbrëma.