
Lidhur me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron për pezullimin e mundshëm të vizave, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se ajo mund të jetë keqinterpretuar.
Në një përgjigje dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, nga MPJD kanë thënë se kjo Ministri nuk ka pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, lidhur me deklaratën e bërë sot nga Presidenti i Francës, z. Macron, e cila duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht, ju njoftojmë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e MPJD-së.
Tutje, MPJD thotë se vendimet për miratim, pezullim apo shtyerje të liberalizimit të vizave merren nga Bashkimi Evropian, e jo nga shtetet anëtare.
“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave. Nuk kemi asnjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen dhënë për Reporteri.net.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë qëndrimit në Tiranë ka ripërsëritur deklaratën për rishikimin e procesit të vizave për Kosovën.
“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macron.
Nexhmi Musliu, zyrtar për media pranë ambasadës franceze në Kosovë tha se po presin sqarime që të saktësohet gjithçka nga ana e përkthimit.
“Po presim sqarime të saktësohet gjithçka nga ana e përkthimit, e nëse del ashtu ajo është deklarata autentike e Presidentit të Francës dhe ne nuk e komentojmë”, tha Musliu për Reporteri.net.