
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Molliqaj i ka thënë Hotit që, siç është shprehur ai, të lë anash hipokrizinë dhe të ketë një bashkim mes të gjitha partive opozitare në mënyrë që të jenë më të fuqishëm përballë Serbisë në dialogun përfundimtar.
Reagimi i Molliqajt vjen pasi Hoti ka thënë sot se vetëm zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog, duke i kujtuar edhe PSD’së se duhet të verifikojë 12 mandatet që ka në Kuvend, pasi janë mandate që janë fituar nga një parti tjetër.
Shkrimi i plotë i Molliqajt:
Në vend se Avdullah Hoti dhe partia të cilës i takon të marrin përgjegjësinë që iu takon në mbrojtjen e vendit, tash kur Kosova po rrezikohet nga negociatat pa platformë, ai paska zgjedhur të merret me PSD-në.
Avdullah, për dallim prej juve, ne si PSD do të angazhohemi vazhdimisht që ta ndalim Thaçin t’i vazhdoj negociatat për vendin tonë krye në vete e pa platformë.
Ju vazhdimisht i jeni nënshtruar PDK-së. E keni zgjedhur Thaçin president e Veselin kryetar të Kuvendit. Andaj, të lus shumë si koleg që të kam, leje anash hipokrizinë.
Në këto momente, Kosovës i duhet më pak hipokrizi e më shumë konstruktivitet. I duhet bashkim i të gjitha partive opozitare, në mënyrë që të jemi më të fuqishëm përballë Serbisë në këto negociata vendimtare për të ardhmen e vendit.