Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, po qëndron sot për vizitë në Shqipëri, me ç’rast u ka dorëzuar krerëve të shtetit Raportin e Progresit, i cili parasheh hapjen e negociatave për anëtarësim.
Konferencën për medie Mogherini e ka filluar në gjuhën shqipe duke i uruar për këtë sukses liderët shtetërorë.
Por ajo ka kërkuar nga pozita dhe opozita që të punojnë së bashku për të përmbushur obligimet që kanë para vetës.
“Urime. Ishte shumë e rëndësishme që ta them këtë në gjuhën shqipe që shqiptarët ta kuptojnë shumë mirë. Ky është momenti për të njohur rezultatin e arritur nga të gjithë bashkë në Shqipëri dhe angazhimi për të punuar së bashku, qeveria me opozitën. Përpjekjet kolektive nuk janë vetëm institucionet, por edhe njerëzit. Të gjithë së bashku të vazhdojmë këtë punë që do të jetë edhe më e madhe kur të nisin negociatat”, ka deklaruar Mogherini gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Ajo ka treguar se pesë prioritetet kyçe do të vazhdojnë të jenë baza e punës së përbashkët.
“Procesi i zgjerimit gjithmonë mbështetet në meritë dhe do ta përsëritim gjithmonë. Vitin e kaluar ishim krah për krah njëri-tjetrit ku unë përballë medieve u shpresa mjaft qartësisht përballë qytetarëve të Shqipërisë se Komisioni Evropian do të kishte dhënë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë kur zbatimi i reformës në drejtësi, dhe posaçërisht vetingu të fillonte. Ju e realizuat dhe ne përmbushëm atë që thamë”, është shprehur Mogherini.
Ajo ka theksuar se vlerësimi i komisionit qartësisht se Shqipëria ka përmbushur kushtet që ishin vendosur në raportin dhe rekomandimet e fundit të miratuar një vit e gjysmë më parë dhe Shqipëria është e gatshme për t’i hapur negociatat.
“Nuk është vetëm një vendosmëri e fortë e popullit shqiptar për t’u bashkuar me BE-në, por në interes të BE-së që të marrë Shqipërinë në BE kur ajo të jetë gati për këtë dhe shpresoj se do të jetë shpejt. Pesë përparësitë kyçe do të mbeten elementet kyçe mbi të cilat qytetarët shqiptarë do të mbeten baza për punën tonë të përbashkët”, ka deklaruar Mogherini.p