970×90
970×90

Ministrja Rizvanolli nuk e di pse u dënua KEK-u me 3.2 milionë euro nga ZRrE-ja

Ministrja Rizvanolli nuk e di pse u dënua KEK-u me 3.2 milionë euro nga ZRrE-ja

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka dënuar me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Sipas burimeve të gazetës Nacionale, ZRRE ka gjobitur KEK-un për shkak të tregtisë së energjisë elektrike me kompani të palicencuara. Në anë tjetër, ministrja Rizvanolli “nuk ka informata” ndërsa kryeshefi i KEK-ut është në paraburgim dhe pezulluar nga detyra.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të ZRRE-së, e cila fillimisht ishte shtyrë, është gjobitur me 3.2 milionë euro KEK-u. Deri më tani ZRRE nuk ka publikuar këtë vendim anipse kanë kaluar më shumë se një javë.

Siç kishte raportuar Nacionale, gjoba ndaj KEK-ut erdhi pasi kjo ndërmarrje bëri tregti të energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuara.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që ka në sektorin e saj ndërmarrjet publike, përfshirë KEK-un, ka thënë se nuk ka informata për këtë gjobë, teksa ka shtuar se është informuar vetëm nga mediet.

Unë nuk kam informata zyrtare për këtë, e kam parë vetëm nga mediet, andaj nuk mund të flas për këtë.” – ka thënë ajo përKosovapress.

Nacionale ka drejtuar pyetje në adresë të ZRRE-së për të kuptuar më shumë për gjobën e tyre ndaj KEK-ut, mirëpo, ata deri më tani nuk kanë gjetur kohë për t’u përgjigjur.

“Çka po fshihet në KEK?”

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, pretendon që në KEK po fshihen edhe vepra të tjera.

Në reagimin e Molliqajt në Facebook, përmendet edhe gjoba e ZRRE-së ndaj KEK-ut, që sipas tij, duhe të jetë material shtesë për prokurorinë.

KEK është gjobitur nga ZRRE me 3.2 milionë euro gjobë, sepse ka tregtuar energji elektrike me kompani që nuk janë të licensuara për operim në Kosovë. Pra KEK ka bërë tregti me një kompani ilegale. Kjo do të duhej të ishte material shtesë për prokurorinë. Sepse në këtë formë janë bërë një sërë shkeljesh duke dëmtuar kompanitë e licensuara.” – ka shkruar Molliqaj.

Më tej, ai ka drejtuar pyetje në drejtim të ZRRE-së, që sipas tij, nëse marrin përgjigje do të zbardhin më shumë korrupsionin në sektorin e energjisë.

Ne kemi drejtuar pyetje ndaj ZRRE për këto çështje: Pse janë përzgjedhur kompani të palicensuara për të tregtuar energji? Sa është sasia e tregtuar e energjisë me kompanitë e palicensuara? Sa është kostoja financiare e këtij tregtimi? Kush janë kompanitë e palicensuara me të cilat KEK ka tregtuar energji?

Këto çështje dhe të tjera që kemi ngritur do ta zbardhin edhe më shumë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e theksuar në këtë sektor!” – përfundon shkrimi i tij.

Nagipi në paraburgim

Aktualisht kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi gjendet në paraburgim. Gjithashtu, ai është pezulluar nga detyra, por nuk është shkarkuar.

Ndërkaq, të hënën, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin e Krasniqit duke e lënë në paraburgim atë.

Krasniqi dyshohet për veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.

Për të mos harruar, kryeministri, Albin Kurti dhe gjithë vartësit e ti i dolën në mbrojtje Krasniqit. Ata akuzuan sistemin e drejtësisë për arrestimin e Krasniqit.

Në anë tjetër, opozita e ka kritikuar punën e pushtetit në sektorin e energjisë, duke përmendur edhe rastin e skandalit të ambasadorit, Martin Berishaj.

Related posts