Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po merr pjesë në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e Bankës Botërore në Vjenë, ku është diskutuar për promovimin e barazisë në ndërmarrësi, pronë dhe financa.
Me këtë rast, Hoxha është përqendruar në fuqizimin e gruas si një çështje që kërkon shumë vëmendje dhe punë, duke cekur se Kosova ka qasje proaktive në drejtim të fuqizimit të grave.
“Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohemi sot është lufta kundër korrupsionit dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në të drejtat pronësore dhe financiare”, është shprehur Hoxha.
Sipas saj, promovimi i përfshirjes së grave në të drejtat pronësore dhe financave në përgjithësi është një mision shumë i rëndësishëm për të si ministri dhe për Qeverinë e Kosovës.
“Po punojmë aktivisht në fushatat për promovimin e të drejtave pronësore për gratë dhe kemi një progres të konsiderueshëm në këtë drejtim por ende mbetet për t’u bërë”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se ka shumë programe dhe subvencione për të mbështetur gratë në biznes si dhe Fondin për Garantimin e kredive, i cili sipas saj, ofron garanci për kredi për bizneset në pronësi të grave.
Ministrja Hoxha ka theksuar se kjo është një nga përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të fuqizuar rolin e grave në financa dhe sipërmarrje.