Në shënimin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Gjermani-Kosovë, me moton “Demokracia më e re evropiane: Pavarësia, Pluralizmi Integrimi”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje.
Ajo ka thënë se Gjermania është partnere shumë e rëndësishme për Kosovën si dhe është ndër zërat më të fuqishëm që promovon integrimin evropian të saj.
“Gjatë 10 viteve të fundit ne kemi kaluar nëpër një tranzicion ekonomik, politik dhe shoqëror, por gjatë këtij udhëtimi ishte një gjë që ne ishim gjithmonë të bashkuar si një vend dhe kjo është perspektiva evropiane”, është shprehur Hoxha.
Një nga sfidat me të cilat ballafaqohemi në vitet e fundit, ministrja Hoxha ka thënë se është liberalizimi i vizave.
Sipas saj, edhe pse ka vështirësi kjo nuk i ka bërë njerëzit që të kenë dyshime në vlerat evropiane dhe të punojnë shumë për t’u bashkuar dhe për t’i respektuar këto vlera.
“Kemi arritur progres por ende mbetet shumë punë për tu bërë në rrugën tonë drejt integrimit. Një pjesë e rëndësishme e këtij progresi është nënshkrimi i MSA-së, marrëdhënies së parë kontraktuale me BE-në”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se MSA-ja ndihmon në zbatimin e standardeve evropiane në fusha të ndryshme si dhe në zhvillimin ekonomik.
“Vëmendje të veçantë i kushtohet asistencës financiare që marrim nga BE-ja, si prioritet kemi përkrahjen për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sektorit bujqësisë, arsimit, përmirësimit ambientit dhe sigurimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike në përputhje me standardet evropiane. Të gjitha fushat në të cilat strategjia e Komisionit Evropian kërkon fokus dhe përparim, janë të domosdoshme për Kosovën. Fakti se këto fusha janë përmendur shprehimisht duhet të mobilizoj institucionet për punë më intensive për reforma”, është shprehur ministrja Hoxha.
Ajo ka thënë se Kosova nuk duhet të ketë prioritet më të rëndësishëm se procesin integrues, dhe sipas Hoxhës, e ardhmja e vendit tonë është integrimi në familjen evropiane.
Në këtë përvjetor jubilar, të organizuar nga Ambasada Gjermane, takimin e ka hapur ambasadori Christian Heldt ku morën pjesë kryeministri Ramush Haradinaj, ish presidentja Atifete Jahjaga, si dhe personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare.