Rrugët duket të jenë të hapura për t’u punësuar në institucione të shtetit, kur kandidatët për një vend pune janë pjesë e partive politike.
Asamblistja e AKR-së në Kamenicë, Xhyljeta Bunjaku, kryetari i Forumit Rinor të kësaj partie në Dragash, Dritan Ramadani, janë vetëm disa prej kandidatëve të pranuar, duke qenë pjesë e AKR-së në Ministrinë e Mjedisit, që udhëhiqet nga Albena Reshitaj, raporton KTV.
Për 12 pozita që u kërkuan në këtë konkurs, si zyrtarë për mbështetje të projekteve, aplikuan 485 persona.
Gentjana Makolli, duke qenë gruaja e djalit të nënkryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, është njëra nga të punësuarat në këtë konkurs.
Edhe Bretë Hajdini, vajza e kryetarit të degës së AKR-së në Gjilan, është punësuar në pozitën zyrtare për mbështetje të projekteve.
Edhe kandidati i parë i pranuar në këtë listë, Fisar Berisha, është aktivist i AKR-së në Gjilan.
I kontaktuar nga KTV-ja, Dritan Ramadani nuk e ka komentuar punësimin në Ministrinë e Mjedisit.
Ka thënë se ai edhe kohë më parë ka punuar në Ministrinë e Diasporës.
Derisa ministrja Albena Reshitaj, nga radhët e AKR-së, gjendet në një udhëtim zyrtar në Amerikë, zëvendësministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, po nga e njëjta parti, thotë se ky konkurs është zhvilluar në bazë të gjitha procedurave ligjore.
Matoshi nuk e mohon se disa nga kandidatët e pranuar janë pjesë e strukturave të AKR-së, por thotë se këta kandidatë u treguan më të mirët.
Në një përgjigje me shkrim të Komisionit Përzgjedhës të kësaj ministrie, thuhet se pas vlerësimit të testeve me shkrim, ky komision ka bërë rangimin e kandidatëve në bazë të pikëve maksimale të fituara.
Sipas këtij Komisioni Përzgjedhës, lista me 12 kandidatët e pranuar në këtë konkurs, të shpallur më 10 janar të këtij viti, është aprovuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.