970×90
970×90

Ministria e Mjedisit paguan mbi 7 mijë euro bileta aeroplani për persona që s’janë zyrtarë të saj

Ministria e Mjedisit paguan mbi 7 mijë euro bileta aeroplani për persona që s’janë zyrtarë të saj


Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të udhëhequr nga ministri i AKR-së, Fatmir Matoshi.

Sipas të gjeturave, MMPH u kishte paguar bileta për udhëtime jashtë vendit 14 personave të cilët nuk janë fare pjesë e ministrisë.

Madje, as qëllimi apo përfitimi i kësaj ministrie nuk dihet nga financimi i këtij udhëtimi.

Auditori sqaron se sipas Udhëzimit Administrativ me numër 2004/07, neni 2, udhëtimet zyrtare janë ato lëvizje të cilat kanë një destinacion apo qëllim i cili shërben për kryerjen e detyrave zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe të shërbimit civil.

Nga testimet është vërejtur se me datën 16.05.2018, ministria kishte marrë vendim për përkrahje financiare – mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit (bileta aeroplani) në vlerë financiare prej 7 mijë e 144 euro për 14 persona për pjesëmarrje në ‘’Ekspozitën e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut”.

“Personat në fjalë nuk kanë qenë pjesë e Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj përkrahje apo përfitimi i ministrisë nga pjesëmarrja e tyre në ketë ngjarje. Vendimi ishte lëshuar në bazë të një kërkese, bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të përkrahur mbulimin e pjesërishëm të shpenzimeve, pa ofruar ndonjë dokument mbështetës i cili do të tregonte qëllimin apo përfitimin e ministrisë nga kjo ngjarje”, thuhet në të gjeturën e Auditorit, shkruan lajmi.net.

Auditori jep vërejtje se shpenzimi i mjeteve financiare për personat që nuk janë pjesë e ministrisë dhe pa përfitime për ministrinë, si dhe mos arsyetimi i mjeteve të shpenzuara, tregon menaxhim jo adekuat të financave publike, dhe shpenzimet si të tilla, mund të konsiderohen shpenzime të parregullta.

Ministri duhet të siguroj se çdo shpenzim i bërë nga buxheti i ministrisë bëhet për financimin e aktiviteteve të ministrisë, është i dokumentuar dhe është në përputhje me rregulloret financiare.

Related posts