Këtë e ka bërë të ditur ministria e drejtuar nga Dhurata Hoxha për KALLXO.com.
“Nuk pritet shtyrje të rekomandimit, edhe pse, ne kemi pasur të gjitha njoftimet zyrtare dhe jozyrtare se rekomandimi do të jepet në fund të qershorit. Nga zyrtarët në Bruksel, jemi informuar se rekomandimi do të vije para pushimeve të verës”, thuhet në përgjigjen e MIE-së.
Ndërkohë Artan Murati nga KDI-ja sot ka njoftuar se Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian e ka hequr nga rendi i ditës votimin e raportit vlerësues lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën.
Sipas Muratit, kjo gjë ka ndodhur, pasi Komisioni Evropian ka vonuar publikimin e rekomandimit për liberalizimin e vizave, edhe pse ky raport ka qenë i paraparë të publikohet në fund të muajit qershor.
Në anën tjetër, dikasteri i drejtuar nga ministrja Hoxha thotë se janë në pritje të vendimit të Komisionit Evropian.
“Tanimë kjo është një çështje që është në duart e institucioneve të BE-së. Institucionet tona kanë punuar në plotësimin e kritereve, dhe tani presim që të ketë një vendim para pushimeve të verës”, thuhet ndër të tjerash në përgjigje.
Ministrja Hoxha pret që të vlerësohet siç thotë ajo, puna e bërë për kriteret e vendosura nga KE-ja.
“Nuk presim shtyrje të rekomandimit, nuk ka arsye të shtyhet vendimi për rekomandim. Unë pres që puna e bërë që nga pranimi i udhërrëfyesit prej 95 kriteresh, të vlerësohet në mënyrë të drejtë dhe pa vonesa dhe që rekomandimi të reflektojë punën e madhe që është bërë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ministria thekson se do të ndërmarrin të gjitha veprimet në koordinim me Brukselin që liberalizimi të ndodhë me sukses.
“Komisioneri Hahn gjithashtu dje deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodh shumë shpejt, prandaj mbesim optimist se qytetarët tonë do të lëvizin të lirë”, deklarohet MIE-ja.
Nga tërë kjo situatë e krijuar, Artan Murati nga KDI-ja, vlerëson se është e pasigurtë nëse këtë vit mund të hiqen vizat.
“Pra, tani Kosova gjindet në një situatë që edhe nëse marrim një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, megjithatë nuk është e sigurt se vizat mund të hiqen këtë vit, për shkak të procedurave vendimmarrëse në BE”, ka shkruar ai në Facebook.
Rekomandimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën është pritur të publikohet në ditët e fundit të qershorit apo ditët e para të korrikut.
Përveç ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, proces ky i mbyllur më 21 mars të këtij viti, luftimi i krimit dhe korrupsionit është kriteri tjetër i vendosur nga BE-ja për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndryshe, sipas koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, nuk mund largohet rekomandimi për vizat pasi që nuk është publikuar ky rekomandim.
“Komisioni Evropian nuk ka publiku ndonjë raport sa i përket vlerësimit për liberalizim, për rrjedhojë unë nuk e di se qysh mundet me u largu një raport që nuk ekziston. Ne si Qeveri i kemi përmbushur të gjitha kriteret, presim një vlerësim pozitiv për Kosovën dhe presim një aprovim të Parlamentit Europian për raportin e komisionit europian”, tha Tahiri.