Ministria e Drejtësisë ka dalë me një reagim pas tërheqjes së avokatit Ben Emmerson nga mbrojtja e Kadri Veselit. Shkruan Gazeta Projekti.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, MD ka thënë se personat që tërhiqen nga detyra mund të gjejnë justifikime të ndryshme por se pagesa e ulët nuk është një prej tyre, duke shtuar se Emmerson ka përfituar nga Ministria mbi 4 milionë euro.
“Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent). Ministria e Drejtësisë vazhdon të punojë me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale”, thuhet në reagim.
Kjo Ministri ka thënë se me vëmendje të veçantë përcjell çdo veprim brenda Gjykatës Speciale dhe seështë e përkushtuar të bëjë punën më të mirë të mundshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ish-krerëve të UÇK-së, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje të plotë në çdo hap të këtij procesi.
Deri tash thotë se ka paguar 26 milionë e 179 mijë e 562 europër mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim.
“Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”, thuhet në reagim.
Gjykata Speciale ka miratuar sot vendimin për miratimin e tërheqjes se avokatit Ben Emmerson nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit, i cili po akuzohet për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Në vendimin e 21 gushtit 2024 thuhet se gjatë shkëmbimit të letrave Emmerson dhe Veseli kanë konfirmuar vendimet e tyre për të përfunduar marrëdhënien e tyre klient-avokat dhe duke e specifikuar si ndërprerje e parevokueshme.
“Duke marrë parasysh transmetimin e letrave dhe transmetimin e mëtutjeshëm të dokumenteve, Paneli është i vetëdijshëm për të drejtën e Z. Veseli sipas Nenit 21(4)(e) të Ligjit për të zgjedhur Avokatin e tij. Sa i përket arsyes se justifikueshme, Paneli vëren se si Z. Veseli ashtu edhe Z. Emmerson konfirmuan vendimin e tyre për të përfunduar marrëdhënien klient-avokat bazuar në “një ndërprerje të parevokueshme në marrëdhënien klient-avokat”. Në këtë bazë, Paneli është i kënaqur që është treguar arsye e justifikueshme, sipas kuptimit të Nenit 16(2)(b) të Direktivës, për përfundimin e hershëm të përfaqësimit të Z. Veseli nga Z. Emmerson”, thuhet në vendim.