Në Kosovë janë konfirmuar edhe 3 raste të reja me Koronavirus dhe kështu tani numri i të prekurve ka shkuar në 94
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, me anë të një postimi të bërë në Facebook ka lutur qytetarët që t’i respektojnë rregullat që janë vënë nga Qeveria e Kosovës.
Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të mos lëvizin në rrugë më shumë se dy persona dhe se duhet të mbahet një distancë prej 2 metrave.
Ky është postimi i plotë:
Të dashura qytetare dhe qytetarë,
Pas analizimit të efekteve të kufizimit të qarkullimit sipas orarit të parë dhe kërkesave tuaja dhe subjekteve që japin shërbime e prodhojnë, vendosëm që të vijojmë me masa të tjera edhe më efektive. Qeveria, me vendimin Nr.02/17 të datës 27. 03. 2020, udhëzon që koha e kufizimit të lëvizjes të jetë nga ora 17:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
Mirëpo, kërkojmë që koha e qarkullimit të mos kuptohet si një hapësirë për t’u grumbulluar dhe rrezikuar shëndetin publik tuajin dhe qytetarëve të tjerë më në rrezik. Prandaj ju lutemi që të respektojmë edhe pikën 3 të vendimit paraprak që mbetet në fuqi, sipas të cilit: “Lëvizjet në rrugë të bëhen jo më shumë se dy persona dhe gjithmonë duke mbajtur distancën 2 metra me të tjerët” .
Kjo vlen edhe për bizneset si supermarketet dhe subjekte të tjera, të cilat janë të obliguara që t’i marrin të gjitha masat për t’i zbatuar këto vendime në të mirë të shëndetit publik.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e punëve të brendshme, mosrespektimi i masave të deritanishme nga personat kushdo, përkundër dëshirës sonë, do të pasohet me shqiptim të gjobave dhe sanksioneve konform legjislacionit në fuqi dhe sidomos Ligjit për parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Përveç respektimit të masave të sipërpërmendura, ju lutemi që të shmangni edhe vizitat familjare dhe forma të tjera të grumbullimit brenda familjeve tuaja. Ruajeni shëndetin e juaj por edhe të familjarëve tuaj. Kjo situatë do të kalojë shumë më shpejtë me bashkëpunimin tuaj. Ju lutemi që të keni durimin këto javë shumë të rëndësishme për shëndetin publik dhe shtetin tonë.
Të mundohemi që bashkërisht të ndihmojmë dhe t’i japim mirënjohjen e merituar personelit shëndetësor, i cili me vetëmohim po vazhdon të bëjë ballë kësaj situate me angazhim dhe përkushtim maksimal. T’ju qëndrojmë afër duke qëndruar në shtëpitë tona. T’ju ndihmojmë duke mos dalë pa nevojë jashtë shtëpive tona. Ndihma që ata po kërkojnë është që ne t’ ju përmbahemi këshillave të tyre.
JU LUTEM MENDOHUNI DY HERË PARA SE TË VENDOSNI TË DILNI NGA SHTËPIA/BANESA. MOS GJENI SHKAK PËR TË DALË PATJETËR. ÇDO DALJE NËPËR QYTET, QYTEZË FSHAT BART RREZIKSHMËRI TË LARTË.
Prandaj, po e përsërisim:
Qëndroni në shtëpi.
Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShP-së.
Bashkë do t’ia dalim!