Sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka pasur një përplasje mes Pal Lekajt dhe Mimoza Kusarit, pasi deputeti nga radhët e AAK-së tha se me Qeverinë Kurti ka lulëzuar importi nga Serbia, deklaratë kjo e cila nuk u prit mirë nga shefja e grupit parlamentar të VV-së, shkruan Reporteri.net.
“Nëse ka lulëzuar ndonjëherë tregu apo importi me Serbinë është me këtë Qeveri”, dëgjohet duke thënë Lekaj para deputetëve në Komision.
Këtu ndërhyn shefja e grupit parlamentar të VV-së e cila thotë se deputeti Lekaj është duke i keqinterpretu statistikat, ndërsa i kërkon që të ulë dhe zërin e të kërkoj falje publikisht për ato që po thotë.
“Statistikat e ASK-së, deputeti Pal Lekaj jo vetëm që është duke i keqinterpretu, por është duke abuzu me fjalën e lirë, tu dezinformu edhe mbi të gjitha nëse din me lexu shqip dhe kuptu, Agjencioni i Statistikave i ka informacionet në gusht ku qartësohet se importet dhe eksportetet ne vendet e BE-së janë si vijon: Maqedonia e Veriut 5.9% Shqipëria 5.4% dhe Serbia 3.1%”, thotë Kusari-Lila, derisa ndërhyn sërish deputeti i AAK-së duke thënë “lëri këto shifra”.
“Pal Lekaj ule zërin dhe dëgjomë. Pse po folë për Serbinë, pse po e sjell në tavolinë, pse po dezinformon, 1.3% ka ra”, i përgjigjet Kusari-Lila.
Aty ndërhyn sërish Lekaj duke i thënë se “ju e keni lulëzu tregun me Serbinë, përnjëherë ka lulëzu”.
“Duhet me të ardhë turp e me kërku falje publikisht para njerëzve që dezinformon. Abuzoni me fjalën e lirë”, i kundërpërgjigjet shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Mes toneve të ashpra Lekaj i thotë deputetes Kusari-Lila se “sa i përket eksportit deficiti tregtar është 3.1 për qind edhe atë në gusht të vitit 2023”.
Pas përplasjeve e toneve të larta mes deputetëve lidhur me importin nga Serbia, opozita ka lëshuar sallën