Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vendosi një paralele mes presidentit rus (quajtur prej tij si car) Vladimir Putin dhe ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç gjatë fjalës së tij në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, Kosova, ashtu si Ukraina sot, në vitet e luftës u vu përballë një makinerie lufte.
“Kosova dhe Ukraina janë dy kombe që duan të jetojnë të lirë, të ndjekur nga demonë të së shkuarës. Dhe ka dy tiranë të dështuar, një i vdekur dhe një që luan me vdekjen”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Rama u përqendrua te kapitulli i fundit, konflikti humanitar në Kosovë.
“Dekada represioni”, përshkruan ai, “një aksion i qëllimtë barbar i kryer nga Sllobodan Millosheviçi”.
“Rreth 20 mijë gra u përdhunuan. Këto janë të dhëna zyrtare nga ndërkombëtare”, tha kryeministri para parlamentarëve të KiE-s.