970×90
970×90
970×90
970×90

Mësohen arsyet e shtrenjtimit të naftës në Kosovë

Mësohen arsyet e shtrenjtimit të naftës në Kosovë

Çmimi i naftës dhe i benzinës në Kosovë është rritur. Këtë e ka konfirmuar Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Sipas Berjanit, nga 2 deri në 4 cent arrin vlera e rritjes së çmimit të naftës në Kosovë, por sipas tij ky është çmim real.

“Për sa i përket çmimit të naftës në Kosovë dihet se berëza e cakton çmimin. Përveç berëzës është edhe organizata e prodhuesve të derivateve OPEC. Kur ka prodhim mjaftueshëm çmimi është më i lirë, kur ka prodhim më të vogël çmimi automatikisht është më i shtrenjtë”, tha ai.

Berjani theksoi se Kosova furnizohet me çmimin më të lirë në regjion, më të lirë se Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

“Për momentin çmimi është nën mëshirën e tregtarëve. Duke falënderuar që Kosova ka mbi 80 importues çmimin e ka më të lirin. Konkurrenca e ka bërë të vetën dhe besoj se gjithë qytetarët janë duke u furnizuar me çmim real”, tha Berjani për Kallxo.com

Sot çmimi sipas Berjanit sillet 1.13 euro nafta ndërsa 1.14 euro benzina. Vitin e kaluar në këtë kohë sipas tij 1 litër naftë ka qenë 95 cent. Ndërsa, para rreth një jave në Kosovë çmimi ka qenë 2 deri në 4 cent më lirë.

“Çmimi varion. Duhet të merren masa për ato kompani që e shesin çmimin e shumicës me pakicë. Ka vërejtje të shumë naftëtarëve”, tha Berjani.

Ai ka apeluar që të shitet ky derivat me çmim real në treg.

“Sugjerojmë dhe apelojmë të formohet një agjencion ose rregullator, ku e kontrollon këtë sektor, ku do t`i drejtohemi gjithmonë çmimit të furnizimit dhe të shitjes”, tha ai.

Ndërsa, Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se idealja është që mos të ketë çmime unike, pasi që kjo është ekonomia e tregut të lirë.

“Po kjo është idealja pikërisht këtë e kërkon konkurrenca që mos të ketë çmime unike. Kjo është ekonomia e tregut të lirë që konsumatorët të kenë mundësi të zgjedhin naftën ose benzinën më kualitative. E paguajnë më shtrenjtë naftën më cilësore, nëse duan jo cilësi të paguhet më lirë. Le të jetë zgjidhje e konsumatorëve këtë e kërkon edhe Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës që të ketë diskrepancë të çmimit, jo të jenë çmimet unike”, tha Prestreshi.

Sipas tij çmimet unike janë të ndaluara me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Edhe Radio Evropa e Lirë ka shkruar lidhur me rritjen e çmimit të naftës.

Ky çmim sipas ekspertëve është rritur si pasojë e problemeve mes SHBA-së dhe Iranit dhe krizës në Venezuelë.

“Çmimi i naftës është rritur pas shqetësimeve se Trump mund të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, që do të çonte në përkeqësimin e mëtejmë të situatës në Lindjen e Mesme. Po ashtu do të ndikonte në furnizimin me naftë nga prodhuesit iranian”, tha Greg McKenna, hulumtues i tregut në AxiTrader shkruan REL.

Related posts