
Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Süleyman Soylu ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë. Siç raporton Anadolu Agency, në Rinas ai u prit nga zv/ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfot Lamallari, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, si dhe nga përfaqësues tjerë qeveritarë dhe të institucioneve turke në vend, të cilët më pas u drejtuan në Ambasadën e Turqisë në Tiranë.
Një takim pati dhe me kryeministrin Edi Rama. Në takimin e mbyllur mes dy delegacioneve është diskutuar rreth anëtarëve të Lëvizjes së Fethulla Gylen në Shqipëri, organizatë që Ankaraja e ka futur në listën e terroristëve dhe e akuzon për tentativën për grusht e shteti më 15 korrik 2016. Turqia ka kërkuar më parë nga autoritetet shqiptare ekstradimin e anëtarëve të Lëvizjes Gylen.
Kosova, kishte dorëzuar 6 gylenistë të cilët po qëndronin në Kosovë. Ata pa asnjë paralajmërim, ishin marrë e me aeroplan ishin dërguar për në Turqi. Për këtë, nuk kishte pasur dijeni as kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ndërsa ministri i brendshëm, Flamur Sefa kishte dhënë dorëheqje.
Edhe Thaçi edhe Rama njihen për raporte të mira me presidentin turk, por Rama nuk kishte pranuar që gylenistët që jetonin në Shqipëri t’i dorëzohen autoriteteve turke.

Në takimin midis Ramës dhe Soylu u diskutua edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe çështjeve të migracionit. Po ashtu edhe në takimin me Sandër Lleshaj, ministri turk ka kërkuar dorëzimin e anëtarëve të Lëvizjes së Fethulla Gylen.