Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit këtë vit Çmim Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, ia ka ndarë shkrimtarit Mehmet Kraja, i cili është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë edhe çmimet vjetore për letërsi për Ag Apollonin dhe Blerina Rugova-Gaxha.
Ministrja në detyrë e kësaj ministrie, Vlora Dumoshi ka thënë se përmes letërsisë është shpërfaqur identiteti jonë kombëtar.
“Nuk është e rastësishme që e kemi caktuar këtë ditë për ta ndarë këtë çmim. Letërsia është shtet ndërtimi i Kosovës. Gjithmonë e kemi shpërfaqur identitetin tonë kombëtar përmes letërsisë, vargut dhe prozës”, ka thënë ajo.
Ndërsa fituesi i çmimit, shkrimtari Mehmet Kraja, duke u shprehur falënderues, ka thënë se çmimet nuk e bëjnë letërsinë, por për ambientin e letërsisë kanë rëndësi.
“Urojë që vlerësimet që kanë dalë nga juria të jenë vlerësime reale. Çmimet nuk e bëjnë letërsinë, por për ambientin e letërsisë kanë rëndësi”, ka thënë ai.