
Përfaqësuesja e Kosovës po ecën sigurt drejtë kualifikimit për në Euro 2020, pasi shënoi një hap të madh të shtunën duke mposhtur Çekinë në ‘Fadil Vokrri’.
Me këtë rezultat, Kosova gjendet në pozitën e dytë, me vetëm 1 pikë më pak sesa kryesuesja Anglia, me të cilën do t’i matin forcat ditën e nesërme (10 shtator), shkruan Reporteri.net
E nga fitorja kundër Çekisë, ishte një futbollist i një tjetër planeti duke luajtur për ‘Dardanët’, e ai ishte ‘supermeni’ Vedat Muriqi.

Sulmuesi shtatlartë prizrenas ka fituar lavde nga më të ndryshmet, madje duke fituar edhe krahasimet me legjendën e futbollit botërorë, Didier Drogba, ish-sulmuesin e Chelseat.
Fillimisht ishin tifozët kosovarë ata që filluan ta krahasojnë sulmuesin kosovarë me njeriun që ia fitoi Chelseat Ligën e Kampionëve.

“Vedat Muriqi eshte duke luajtur ne stilin e Dider Drogba-s. Cfare presioni, cfare fuqie, cfare klasi!”, ka shkruar në twitter gazetari Granit Tërstena, tifoz i Chelseat dhe Përfaqësueses së Kosovës.
Në anën tjetër gazetari kosovar, Uran Krasniqi ka folur për gazetën turke ‘Milliyet’ ku ka lavdëruar jashtë mase paraqitjen fenomenale të Muriqit.

“Ai ishte si Droba, Muriqi u bë hero në vendin e tij”, ka shkruar e përditshmja turke ‘Milliyet’ për sulmuesin shtatlartë të Kosovës.

Padyshim që, paraqitja e Vedat Muriqit ishte njëra ndër performancat më të mira që dikush ka dhuruar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke kontribouar sa në sulm, sa në mesfushë e madje edhe në mbrojtje duke ndihmuar kolegët e tij t’i fitonin duelet me shtatlartët e Çekisë.