970×90
970×90
970×90
970×90

Mblidhet LDK, vendos për fatin e Qeverisë Haradinaj

Mblidhet LDK, vendos për fatin e Qeverisë Haradinaj

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka treguar për atë se a ka marrë ende LDK vendim për ta mbështetur ose jo Qeverinë Haradinaj.

Veliu tha se sapo të mblidhet Kryesia e Lidhjes Demokratike do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

“Ende nuk është mbledhur kryesia e LDK-së, sapo të mblidhemi do të vendosim se si do të veprojmë dhe do t’a bëjmë publik vendimin tonë”, ka thënë Veliu për Gazeta Blic.

Ndërsa edhe nënkryetari tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka mohuar se partia e tij ka për synim të bëhet pjesë e Qeverisë “Haradinaj”, pas largimit të Listës Serbe, megjithëse ai sqaron se interesi i LDK-së karshi këtyre rrethanave politike është që të ruajnë vendin.

Haziri, ka përmendur tri çështje parimore, mbi të cilat thekson se është bazuar qëndrimi i LDK-së se në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.

Ndryshe, dy ditë më parë në veri të Mitrovicës nga Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, u arrestua i ashtuquajturi Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pasi kishte hyrë ilegalisht në territorin kosovar.

Pas këtij veprimi nga autoritetet kosovare, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq thirri takim të menjëhershëm me Listën Serve e ku prezent ishte edhe i ashtuquajturi Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuriç dhe Nikola Selakoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës.
E menjëherë pas këtij takimi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka bërë të ditur se kanë marrë vendim që partia e tij të largohet nga Qeveria e Kosovës dhe më 20 prill do të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ky vendim i Listës Serbe mund të jetë fatal për Qeverinë Haradinaj, kjo qeveri tanimë ka vetëm 53 deputetë.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje, ani pse Lista Serbe ka marrë vendim të largohet nga Qeveria Haradinaj.

“Dorëheqje nuk e kam plan me dhanë punën e kom plan me vazhdu seriozisht ata që e përkrahin punën e Qeverisë i përkrahi, ata që shkojnë e hynë e dalin nuk kam ndonjë mendim tjetër për të”, ka thënë Haradinaj. Sipas tij vendimi i Listës Serbe për tu larguar është jo i drejtë.

Tutje ai ka thënë se pret nga Lista Serbe që të reflektojë sepse zgjidhja e vetme është bashkëpunimi.

“Parlamenti është i përbërë nga shumë grupe parlamentare, Lista Serbe janë partnerë me të cilët vërtetë kemi pasur një partneritet të mirëfilltë me ta, veprimi i djeshëm nuk ka qenë i drejtuar kundër qytetarëve serb të Kosovës as të zyrtarëve politik as të Komunave as të ministrave sikurse as kundër ndonjë zyrtari tjetër të Serbisë në përjashtim të atyre që kanë thyer ligjin për të cilën është e pakushtueshme pra marrja e vendimit për largim prej qeverie për shkak se është zbatuar ligji”, ka deklaruar ai.

Related posts