
Derisa rastet urgjente nuk kanë nevojë të presin derisa t’u lëshohen mjetet, rastet tjera po presin qe më shumë se gjashtë muaj për t’u trajtuar.
Edhe pse vetë Ministria e Shëndetësisë ua ka aprovuar ndarjen e mjeteve financiare për shërim në institucionet private shëndetësore në vend dhe jashtë vendit, mbi 700 personave ende nuk u janë ndarë këto mjete.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se ka persona që janë në pritje që nga muaji korrik i vitit 2018. Për shkak të moslëshimit të mjeteve nga ana e Ministrisë ata nuk kanë mundur të marrin edhe trajtimin e nevojshëm mjekësor, për shkak se shuma që atyre u është dashur të paguajnë në spitale private ka qenë e papërballueshme për ta. Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) ka thënë për “Zërin” se ende nuk është bërë pagesa për 543 persona, të cilët kanë aplikuar vitin e kaluar, derisa siç ka thënë ajo nuk kanë bërë pagesa as për mbi 200 persona që u janë aprovuar mjetet këtë vit.
“Duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga Departamenti i Financave në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, përveç të trajtuarve, numri i pagesave në pritje për vitin 2018 është 543 (336 raste të rregullta dhe 207 urgjenca), kurse numri i pagesave në pritje për vitin 2019 është 218 (102 raste të rregullta dhe 116 urgjenca)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.
Zyra për informim ka thënë për gazetën se sa u përket rasteve urgjente, atyre u lëshohet një garancion me anë të të cilit nuk kanë nevojë të presin derisa të bëhet pagesa. Por që sipas saj rastet tjera jourgjente presin sipas radhës.