
“Dy vëllezër i kam të vrarë në luftë, mu ka dokë edhe ma e rëndë se sa ata dy, se ne prej luftës e kemi pritë amo prej shqiptarit se kemi prit kurrë me bo”.
Kjo ishte deklarata e Gjavit Gjocaj, banorit të fshatit Gjocaj të komunës së Junikut, pasi që pa që varrezat e këtij fshati ishin dëmtuar dhe eshtrat ishin hedhur në greminë.
Gjocaj në një bisedë për Gazetën Nacionale tha se në këto varreza i kishte të varrosur afro 20 pjesëtarë të familjes së tij.
“Ato varreza kanë qenë para 100 viteve, i mbanë mend baba jam, gjyshi e të gjithë. Ai që e ka bërë këtë është fajtor edhe për tonë jetë për këtë punë. Unë e kam pas motrën, motrën e babës, nenën e babës, gruan e axhës, djalin e axhës, e shumë pjesëtarët të tjerë kam pas të varrosur aty, diku afër 20 anëtar. Krejt këtë e kanë bërë Kadria me djalin e tij e djali i tij punon në komunë”, ka deklaruar Gjocaj.
Zenel Gjocaj, banor i këtij fshati, ka treguar për Gazetën Nacionale se ishte ai që ka telefonuar Policinë e Kosovës, dhe së bashku me ta ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Unë të nesërmen kam dëgju dhe kam shku bashkë me policinë në vendin e ngjarjes e aty kanë qenë duke punu ende Kadri Ganijaj së bashku me djalin e tij drejtor në komunë, Demokratin. Në ato varreza unë i kam pas familjarët, gjysh e gjyshe e të partë e mi. Kanë qenë mbi 40 varreza. Presim që drejtësia me zbardh rastin e varrezat mu kthy. Toka nuk është pronë private është e shoqërisë,” – ka deklaruar ai.
Gazeta Nacionale i është drejtuar komunës së Junikut për të kuptuar më shumë se çfarë ka ndodhur në këtë rast, ku kryetari i komunës, Ruzhi Shehu ka thënë se krejt kjo çfarë ka ndodhur ka të bëjë me Parkun Nacional dhe se nuk është në kompetenca të komunës.
“Çështja që ka të bëjë me fshatin Gjocaj është nën menaxhimin e Parkut Nacional, dhe se lënda është duke u trajtu nga ana e parkut dhe organet të tjera të drejtësisë. Asgjë tjetër nuk ka kompetenca komuna, hynë në Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna dhe janë duke u marrë inspektorate i mjedisit,” ka deklaruar Sehu.
Por kush i dëmtoi varrezat e fshatit Gjocaj?
Dy banorët e këtij fshati, Gjavit Gjocaj dhe Zenel Gjocaj, pretenduan se këtë e ka bërë Kadri Ganijaj së bashku me djalin e tij, Demokrat Ganijaj, i cili mbanë postin e Drejtorit për Shërbime Publike në Komunën e Junikut.
Në bisedë me kryetari Shehu, është pyetur edhe për këtë çështje, mirëpo i njëjti ka mohuar në mënyrë të vrazhdë.
“Jo jo, ne nuk kemi mandat as më dhënë miratim as ndërtim me bo, as vendim më lëshu, sa i përket çoftë ndërtimeve e as në aspektin e menaxhimeve nuk kemi kompetenca komunale,” – ka deklaruar Shehu.
Gazeta Nacionale për tri ditë ka tentuar të kontaktojë me drejtorin Demokrat Ganijaj, i cili pas këtyre ditëve ka thënë se nuk dëshiron të japë deklaratë për këtë çështje.
“Po i kam marrë mesazhet e thirrjet po nuk kisha dashtë mu përgjigje. … Jo jo nëse bon jo,” – ka thënë ai shkurtimisht.
Leonard Llolluni, shef i grupit të asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në komunën e Junikut, ka treguar për Gazetën Nacionale se këtë çështje e ka ngritur edhe në asamble dhe drejtori Ganijaj ka deklaruar se babai i tij i ka rrafshuar varrezat.
“E kemi ngritur si aleancë edhe në kuvend këtë temë. Drejtori na ka thënë se babai i tij i ka rrafshu. Kryetari na ka thënë se kjo pronë menaxhohet nga parku nacional. Ai (drejtori komunal) e ka një pronë private të tij aty afër, dhe me siguri ka ndonjë interes personal, për me uzupu atë pjesë të varrezave. Kjo pronë është pronë publike. Drejtori i ka hedh fajin tek babai i tij”, ka deklaruar Llolluni.
Nga ana tjetër, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, dega në Pejë ka treguar për Gazetën Nacionale se për këtë është fajësuar Kadri Ganijaj, i cili del të jetë babai i drejtorit Ganijaj.
“Kjo ngjarje ka ndodhur para disa javësh dhe me te marr informacion ne si Drejtori e Parkut Kombëtar kemi dërguar një ekip pasiqe ajo pjese ndonëse është prone private administrohet nga Drejtoria e Parkut Kombëtar. Personi Kadri Qerim Ganija nga fshati Jasiq me bager ka rrafshuar një pjese te tokës se tij private ku ne këtë pjese kane qene edhe varrezat e fqinjëve te tij prej qindra vjetësh. Ne i kemi ndalur punimet dhe i kemi lëshuar një procesverbal dhe kemi lajmëruar rastin ne polici. Pas intervistimit nga policia me urdhër te Prokurorit personi ne fjale ka qene nen arrest 48 ore dhe tashme është ne procedure te rregullte dhe ndaj tij do te pasojnë veprimet ligjore”, thuhet në përgjigjen e tyre.