
Me iniciativë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën dhe të dielën në Prishtinë i zhvillon punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji.
Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas komunikatës së Presidencës, në edicionin e parë të tij, WPS, pritet të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës, nga vende të ndryshme të botës, në fokus të të cilit do të jetë trajtimi i çështjeve që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.
“Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit. Forumi synon të diskutojë jo vetëm sfidat në përballje me paqen dhe sigurinë globale, por edhe trajtimin dhe zgjidhjet eventuale. Ndryshe, WPS është Forum, i cili paraqet një nga zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden”, thuhet në komunikatë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se temë e këtij forumi do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme.