
Aksidentet dhe viktimat e shumta e kanë shtyrë Shtetin e Kosovës të marrë masa të rrepta parandalimi. Denime të mëdha dhe kamera gjithandej, do të vendosen nëpër çdo cep të kosovës, trasnmeton Gazeta Metro.
Për të parandaluar aksidentet rrugore, Ministria e Infrastrukturës do të vendosë, në muajin maj, radarë me kamera në çdo rrugë nacionale të Republikës së Kosovës. Ekspertët e komunikacionit rrugor thonë se fundi i shkurtit do të sjellë akullin e zi, ku mund të sjellë edhe fatalitete të tjera. Policia bën apel për drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, ku për shkak të kohës se ftohtë ka ngrica në rrugë.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, vlerëson se institucionet e vendit nuk janë fare të përgatitura sa i përket masave mbrojtëse nga aksidentet rrugore. Ai thotë se drejtuesit e automjeteve në Kosovë kanë mungesë të informacioneve dhe gjatë ngasjes së veturës nuk e kanë të ditur se çka do t’u ndodhë në momente të caktuara.
Dedaj paralajmëroi akullin e zi në fund të shkurtit, i cili, sipas tij, mund të shkaktojë edhe aksidente të tjera me fatalitet.
“Nga fundi i muajit të dytë pritet të ndodhë akulli i zi, që drejtuesit dhe popullata nuk janë të informuar se ky faktor mund të sjellë aksidente me pasoja fatale. Në disa vende të Kosovës, ku janë temperaturat e ulëta, bëhet avull dhe ka mjegulla të dendura, në ato raste paraqitet akulli i zi. Do t’i përmendi vetëm dy pika, rruga e Sllatinës dhe rruga e Mazgitit ku shkon për Obiliq, këtu është pasiguri dhe rrezikshmëria për fatalitet është e madhe. Kjo është mungesë e institucioneve tona, të cilat nuk kanë bërë kurrë analiza”, trasnmeton Gazeta Metro.
Ai shtoi se duhet bërë aplikacione ku drejtuesit e automjeteve mund të marrin informacione në mënyrë elektronike për pika të caktuara të rrugës që nuk janë të identifikuara.
Kujtojmë se numri i aksidenteve me fatalitet në Kosovë ka qenë shumë shqetësues. Brenda vitit 2018 kanë humbur jetën 110 persona.