
Leandro Paredes do të largohet nga Paris Saint Germain gjatë afatit kalimtar veror.
Mesfushori argjentinas është pjesë e parisienëve që nga viti 2019, por në sezonin e fundit nuk ka pasur hapësira të mëdha.
28-vjeçari ka luajtur në 22 ndeshje në total në të gjitha garat duke shënuar një gol e duke asistuar në dy të tjerë.
PSG e ka nxjerr në shitje yllin argjentinas dhe interesimi nga skuadrat e mëdha nuk mungon.
Gazeta e madhe franceze L’Equipe së fundmi ka raportuar se Manchester United është interesuar për Paredes dhe ka kontaktuar zyrtarisht PSG-në.
Kampioni në fuqi i Francës, Paris Saint Germain i ka bërë me dije anglezëve se Paredes kushton 35 milionë euro, shumë që po konsiderohet e lartë nga Djajtë e Kuq.
Interesim për mesfushorin argjentinas ka shprehur edhe Juventus në Serie A, derisa nuk përjashtohet mundësia që Paredes të rikthehet edhe te Roma.
Gjithsesi largimi i tij nga Parc de Princes duket i sigurt, por mbetet të shihet se ku do të përfundojë reprezentuesi argjentinas.