
Në një postim relativisht të shkurtër, zëvendëskryeministër i Kosovës Besnik Bislimi ky udhërrëfyes synon vendosjen “në binarë të problematikës së furnizimit dhe pagesës së energjisë në katër komunat në veri të vendit”.
Megjithatë, Bislimi ka siguruar se çfarëdo dakordimi eventual, nuk do të ndryshoj as edhe një presje të asaj që është dakorduar në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015.
“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015”, shkroi Bislimi sot gjatë ditës.
Por, marrëveshjet që sot Bislimi i mbrojti, duke siguruar se nuk do të ndryshohen as edhe një presje, dikur Lëvizja Vetëvendosje i kritikonte me gjuhë të ashpër.
Në shtator të vitit 2015, VV kishte mbajtur një konferencë, e ku e kishte bërë të qartë qëndrimin e partisë atëbotë opozitare në lidhje me marrëveshjet që sot VV pushtetare i mbron.
“Marrëveshja për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë, pamundëson unifikimin me Shqipërinë”, shkruante VV me SHKRONJA TË MËDHA.
“Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”, shkruante tutje VV.
Janë bërë 7 vite nga publikimi i këtij postimi në faqen e VV-së. Përveç viteve që kanë shkuar e thinjat që i janë shtuar Bislimit, atij i kanë ndryshuar edhe qëndrimet. Tashmë Bislimi (por, edhe VV), që është njëri nga personat me të rëndësishëm të VV-së, mendon ndryshe. Tash, edhe presjet e kësaj marrëveshje, që dikur legalizonte ndikimin e Serbisë, duhet të mbrohet.
Por, LVV e Kurti kanë ndryshuar qëndrimin edhe për çështjen e mos pagesës së energjisë elektrike nga ana e serbëve të pjesës veriore të Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.
Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.
Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.
Ky dokument parasheh që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.
Pronare e kësaj të fundit është Serbia, apo kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – Elektroprivreda Srbije.
Përfaqësuesit e saj e kanë regjistruar atë si biznes në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në nëntor të vitit 2018. Aktivitet primar i saj është tregtia e energjisë.
Në bazë të marrëveshjeve të arritura, “Drustvo Elektrosever D.O.O.”, për të filluar operimin në Kosovë, do të duhej që të licencohej nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE).
“Drustvo Elektrosever D.O.O.” ka aplikuar për licencim, por nuk ka konfirmim se ZRRE-ja e ka licencuar.
Në muajin shkurt të këtij viti, ZRRE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se licenca është kërkuar në fund të dhjetorit, 2020, por ende nuk është miratuar, sepse “duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen [e Brukselit] dhe konkluzionet”, gjë që, sipas ZRRE-së, nuk është arritur.
ZRRE-ja nuk ka specifikuar konkretisht se çfarë është e kontestueshme në këtë proces.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të “Drustvo Elektrosever D.O.O.” – ashtu siç e parashohin edhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë më 10 qershor se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe se për këtë çështje pala serbe ka zhvilluar negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar mbajtjen e një takimi të tillë.
Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.
Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.
Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.
Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.
KOSTT është kompani publike e Kosovës me 100 për qind të aksioneve shtetërore.