Pak më vonë se ora 8 e mbrëmjes së 20 qershorit të 1947 Benjamin Siegelbaum-i, 41 vjeç, i ulur me shpinë nga dritarja në vilën e tij në Beverly Hills hapi televizorin të shihte lajmet e “Los Angeles Times”, por nuk pati mundësi t’i shihte lajmet e ditës: një shi plumbash, kalibri 30 dolën nga një karabinë M1 dhe hoqën qafe nga kjo botë. Dy në kokë, të tjerat në trup dhe disa të tjera në mobiljet e kushtueshme. Kishte lindur në 28 shkurt të 1906 në Williamsburg, Nju Jork, fëmijë i një çifti emigrantësh hebrenj të varfër, Max Siegelbaum dhe Jennie Goldstein.
Vdiq në mesin e një karriere pa dyshuar që vepra e tij më e madhe kishte filluar në vitin 1829, atëherë kur udhëtari spanjoll Antonio Armijo mbi një mushkë zbuloi se ajo shkretëtirë e Mojave-s e përshtatshme për insektet dhe gjarpërinjtë kishte një sërë lëndinash (vegas), oaze që ngjyrosnin në jeshile atë botë të thatë e të paanë. Për këtë arsye Armijo e pagëzoi Las Vegas. U themelua si qytet në 15 maj të 1905 me 352 km katrorë dhe me një ADN prej “Sin City”. Në vitin 1931u legalizuan lojërat e kazinove dhe Benjamin Siegelbaum që në atë kohë quhej Ben Siegel dhe që urrente nofkën Bugsy (i lojtur), ndërsa kalonte këtë shkretëtirë me Kadillakun e tij V16 i shkrepi një ide, një vizion që në atë vend do të ngrinte perandorinë e tij. Fëmija i dytë i Max-it dhe Jennie-it, adoleshent i përbetuar të dilte nga varfëria, braktisi shkollën dhe iu bashkua një grupi gangsterësh që vepronin në rrugën Lafayette Street, Lower East Side në Manhatan.Nga hajdut ordiner filloi ngjitjen e tij si mbledhës taksash tek një mafioz i vogël, Moe Sedway. Shumë shpejt filloi një ngjitje tjetër, zuri miqësi me Meyer Lansky-in, shef të mafias hebreje dhe kështu filloi sagën e tij kriminale mes atyre rradhëve. Kontrabandist, vrasës me pagesë, trafikant droge, më i shpejtë për të tërhequr këmbëzën sesa për të menduar, fitoi famë jo vetëm për rekordet e tij të përgjakshme, por edhe për pamjen: i gjatë me sy bojëqielli, karizmatik, joshës, i pëlqenin veshjet e mira, vanitoz. Bleu një shtëpi në Scarsdale, u bë i njohur në jetën e natës njujorkeze dhee lidhi miqësi me emra të shquar të Hollivudit: George Raft, Clark Gable, Gary Cooper, Cary Grant, Jean Harlow, Tony Curtis, Frank Sinatra dhe me të pushtetshmit Louis Mayer dhe Jack Warner. Në vitin 1929 u martua me Esta Krakower, një e dashur e fëmijërisë. Nga kjo martesë lindën dy vajza. U divorcuan në 1946.
Ekstravaganti Bugsy kishte dhjetra prona dhe kishte shpenzuar pasuri të tëra në festa në banesën e tij në Beverly Hills. Gjatë Luftës së Dytë Botërore premtoi një nga deliret e tij më të mëdha, të vriste Benito Musolinin, Hermann Göring-un dhe Joseph Goebbels-in. Në vitet 30, në mes të shkretëtirës e pa veten si monarkun më të madh të bizneseve të imagjinuar ndonjëherë. Një hotel gjigand me dhjetra tavolina loje, alkoolin më të mirë, ushqimin më të sofistikuar dhe me shfaqje të përhershme nga yjet më të njohur.Një hotel që do të quhej Flamingo për nder të së dashurës së tij, Victoria Hill, këmbët e gjata të së cilës i ngjanin me një flamingo. Kostoja do të ishte e lartë, por e bindi Lansky-in dhe ortakë të tjerë që të investonin në këtë vepër magjike të shkretëtirës. Punimet filluan në 1945, kostoja e vlerësuar 1 milionë dollarë dhe Bugsy Siegel si dizenjator, shef, mandator absolut me kapriço delirante dhe me modifikime të shumta të planeve. Në tetor të 1946 shuma fillestare u ngjit në 4 milionë dhe pak më vonë në 6 milionë. Humori i keq dhe mosbesimi penetruan në lëkurën e investitorëve, por Flamingoja me figurën e tij prej neoni të kuq hapi portat në 26 dhjetor të 1946, kishte përfunduar vetëm kazinoja, salloni, teatri dhe restoranti.
Një katastrofë erdhi për Bugsy-in, sepse atë natë shpërtheu në një stuhi biblike. Për dy javë kazinoja kishte humbur 275 mijë dollarë. U rihap në 11 mars të atij viti me Meyer Lansky-in prezent dhe filloi të nxjerrë fitime, por grupi i investitorëve mafiozë e kishin dhënë verdiktin e tyre. Jo vetëm që kishte kaluar koston 7 herë nga ajo fillestare, por për diçka më të rëndë. Bugsy kishte vënë si administratore gjatë ndërtimit Victoria Hill që me duart e gjata, ashtu si edhe këmbët kishte vjedhur 2 milionë dollarë dhe i kishte fshehur në një parajsë fiskale. Sipas raportit të policisë 4 nga 9 plumbat e qëlluar atë natë ishin mbi një statujë të perëndisë Baku, mbi një piano dhe që kishin mbetur në mur. 5 të tjera ishin mbi Bugsy-n. Të nesërmen u shfaq në faqen e “Los Ángeles Herald–Express”, por jo me sjelljen e të fortit, vetëm në një pozë me etiketën e emrit të lidhur në gishtin e këmbës së djathtë, si çdo kufomë tjetër morgu. Tek Flamingoja kishte vetëm një pllakatë që jo gjithmonë pastrohej.Ajo që mbeti nga hoteli origjinal u shemb në vitin 1993. Bugsy-i është i varrosur në varrezën e “Hollywood Forever”, në mesin e asaj Kalifornie që mbyti në gjak. Lansky, Dutch Schultz, Frank Costello, Vito Genovese, Albert Anastasia, Joe Adonis dhe Salvatore Maranzano, gangsterët e famshmë vdiqën keqazi. Al Capone nga sifilizi, pasi doli nga burgu, Lucky Luciano nga infarkti. Ishte fundi i një epoke, por jo i mafias që me kalimin e kohës riciklohet, transformohet, vesh veshje të tjera, shkon në lartësi të tjera, mëson teknologjinë dhe vazhdon ende të vrasë.
(Post scriptum: pas vdekjes së Bugsy-it dhe gjithmonë në duart e mafiozëve Las Vegasi u rrit në progresion gjeometrik. Flamingoja ishte fara e artë e një korrjeje të paimagjinueshme dhe aq më pak në shkretëtirë. Aty mbretëruan për vite Frank Sinatra dhe Rat Pack, Dean Martin, Sammy Davis Jr., Joey Bishop, Peter Lawford dhe sigurisht Elvis Presley. Në hotelet e këtij qyteti dashuruan, fjetën dhe u droguan, sfiluan prostituta të klasit A dhe tutorët e tyre zbuluan një mënyrë për të ndalur kohën. Marramendja e dritave dhe e tingujve, fluksi i dollarëve shembën katedrale dhe ndërtuan të tjera më të mëdha, imituan Venecian dhe varkat pirate, vullkane, malet ruse. Las Vegasi, parku më i madh i dëfrimeve në planet. Nëse dikush do t’i avitet varrit të Bugsy Siegel-it dhe t’i pëshpërisë: 122 kazino, 1700 tavolina loje, 180 000 makina paranxjerrëse, 500 kisha, norma të larta vetëvrasjesh, fitohen shuma kolosale, por edhe humben dhe 42 milionë njerëz pelegrojnë për zotërit e kumarit. Dhe ka të ngjarë që ky gangster i pamëshirshëm t’jua kthejë përgjigjen: “Nuk u gabova!”) / Burimi: Noticias24 – bota.al