
( E plotësuar, ora 12:20) Oda Ekonomike e Kosovës ka zgjedhur sot drejtuesit e rinj, ku kryetar i OEK-ut u zgjodh Lulzim Rafuna.Kryesues i Kuvendit është zgjedhur Sami Mazreku nga Byroja e Sigurimeve.
Kuvendi i OEK-ut zgjodhi Rafunën kryetar me 27 vota, ndërsa mandati i kryetarit është katërvjeçar.
Lulzim Rafuna më parë ishte ish-drejtor i Doganës së Kosovës, ministër në detyrë i Financave dhe këshilltar i ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza, dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Në garë për kreun e OEK-it ishte edhe Erëza Vela e cila mori 11 vota si dhe Ruzhdi Kurtishaj 12 vota.
Kryetari i deritanishëm ishte Berat Rukiqi.
Filloi Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës
Parim Bajrami, sekretar i Odës Ekonomike, ka bërë me dije se në ora 13:00, do të dihet emri i kryetarit të ri të OEK-ut.
Mbledhja vazhdon me dyer të mbyllura pa praninë e mediave.
Sot mbahet Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës
Sot ( e enjte, 14 korrik 2022) me fillim në ora 10:00 do të mbahet mbledhja Konstituive e Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në të cilin do të zgjedhen edhe organet e reja drejtuese në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. 51 delegatë të Kuvendit të Odës Ekonomike do të votojnë për organet e reja të OEK-ut.
Për RTKlive nga Oda Ekonomike e Kosovës, kanë konfirmuar se deri më tani për të qenë pjesë e garës për kryetar të OEK-ut, janë tre kandidatë. Ruzhdi Kurtishaj, i cili deri tani ishte kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike, Erëza Vela e cila është një afariste e suksesshme në Kosovë dhe Lulzim Rafuna ish-drejtori i Doganës së Kosovës.