
Svein Tore Holsether, shef i një prej kompanive më të mëdha në botë të plehrave, thotë se lufta në Ukrainë do të sjellë tronditje globale në furnizimin me ushqim, po ashtu, edhe kosto të madhe, transmeton Reporteri.net.
Shefi i “Yara International”, tha se çmimi i plehrave, të cilat veç ishin të larta para pushtimit rus, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit do të vazhdojnë të rriten akoma më shumë.
Yara, operon në më shumë se 60 vende në botë. Ajo blen sasi të konsiderueshme të lëndëve të para thelbësore nga Rusia.
“Ne veç ishim në një situatë të vështirë edhe para luftës në Ukrainë”, tha ai për BBC.
Rusia, prodhon sasi të mëdha të lëndëve ushqyese si potasi e fosfati që janë përbërës kryesor i plehrave, që mundësojnë rritjen dhe kultivimin e bimëve.