Dy zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, janë suspenduar nga detyra, pasi dyshohet se të njëjtit u dhanë informacione mediave.
Siç njofton IPK, dy persona zyrtarë, njëri zyrtar policor e tjetri me gradën e kapitenit janë suspenduar dhe momentalisht po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
“Hetimi është duke u zhvilluar në konsultim me prokurorinë kompetente me dyshimin se dy zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut (njëri zyrtar policor e tjetri me gradën e kapitenit) kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, thuhet në njoftim.
Por, Metro mëson nga burimet e saj, se ky hetim është përgatitur nga shefi i Policisë në Veri, Zeljko Bojic.
Sipas të njëjtave burime, Bojic po i neutralizon njerëzit brenda policisë, që nuk i ka në kontroll.
Ndryshe, Zeljko Bojic është ngritur në detyrë para disa muajve, me ndikimin e Milan Radijicic. Të dy këta janë bashkëpunëtorë të ngushtë që kontrollojnë Veriun /gazetametro.net