970×90
970×90

Lufta e Fatmir Limajt dhe e Behgjet Paollit për ta kaluar pragun

Lufta e Fatmir Limajt dhe e Behgjet Paollit për ta kaluar pragun

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës të mbajtura më 6 tetor, u cilësuan si ndryshim i madh në skenën politike.

Në bazë të rezultateve të para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 220 mijë e 811 vota apo 26,159%, LDK 206 mijë e 458 vota apo 23,458%, PDK ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163%, AAK-PSD koalicioni “100% Kosovë”, ka 96 mijë e 883 vota apo 11, 477%, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754%, Nisma-AKR-PD 42 mijë e 72 vota apo 4.984%.

Duke u bazuar në këto të dhëna, koalicioni Nisma-AKR-PD, nuk e kishin kaluar pragun mirëpo, nga ky subjekt politik janë ankuar për votat e ardhura nga Serbia.

Pas ankesës së tyre, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 11 nëntor të këtij viti kishte marrë si të bazuar ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, në lidhje me votat e ardhura nga Serbia.

“Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhej në njoftimin e PZAP-së.

Vendimin e PZAP-së, nga koalicioni Nisma-AKR-PD, atë ditë e kishin cilësuar si fitore dhe janë shprehur të bindur që do të jenë pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës.

Mirëpo, pothuajse dy javë nga ky vendim i PZAP-së, sot më 24 nëntor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka përfunduar edhe rinumërimi i 1 mijë e 407 vendvotime, por që akoma nuk dihet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pas këtij rinumërimi.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se përfundimisht koalicioni NISMA-AKR-PD është pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Limaj, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook,  ka thënë se pas përfundimit të rinumërimit të 1 mijë e 407 vendvotimeve dhe numërimit të të gjitha votave të rregullta, vullneti i qytetarëve të Kosovës u lexua.

“Pas përfundimit të rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve dhe numërimit të të gjitha votave të rregullta, vullneti i qytetarëve të Kosovës u lexua. NISMA dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Tanimë mund të flasim për një rezultat të rregullt zyrtar. Me këtë rast, falënderojë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e koalicionit tonë për mbështetje në këtë garë zgjedhore! Ashtu siç kemi thënë nga fillimi NISMA dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës falë votës dhe mbështetjes se mbi 42 mijë votuesve”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Por, pavarësisht përfundimit të procesit të rinumërimit dhe festës së Nismës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk mund të bëj certifikimin e zgjedhjeve pa u bërë 24 orë, shkruan lajmi.net.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pas përfundimit të rinumërimit tha se brenda 24 orësh mund të parashtrohen ankesa nga subjektet politike në administrim të numërimit që është zhvilluar në QNR.

“Para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve, merr konfirmimin nga ana e PZAP-it dhe Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje e cila është në shqyrtim. Pra, në momentin kur të kemi këto konfirmime, si institucion mund të procedojmë për certifikimin e rezultatit përfundimtar”, tha Elezi.

Se Nisma nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re e ka konfirmuar edhe vet fituesi i këtyre zgjedhjeve, Albin Kurti.

Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, gjatë së dielës ka bërë të ditur se tashmë i ka siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re.

“Pavarësisht rinumërimeve dhe paneleve, u sigurua shumica parlamentare për qeverinë e re. Kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime”, ka shkruar Kurti.

Me sigurimin e këtyre votave, koalicioni i ardhshëm Vetëvendosje-LDK, nuk ka nevojë për votat e Nismës, pasi që kanë siguruar 62 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka 30 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 29 deputetë, dhe me tre deputetët e komunitetit joshumicë bëjnë 31 deputetë dhe në këtë mënyrë, koalicioni i ri Vetëvendosje-LDK, ka siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Duhet theksuar se Kurti në vazhdimësi ka përjashtuar mundësinë e koalicionit të mundshëm me Listën Serbe dhe me koalicionin Nisma-AKR-PD.

Related posts